Nëse ke qenë në gjumë Borëbardhe për ca kohë, zgjimi do ishte plot surpriza. Mikeshat të kanë lënë pas me ndjekësit në Instagram. “Skinny Jeans”, janë bërë “Skinny Jeans” me një të prerë horizontale te gjunjtë. Fashionistet veshin atlete edhe jashtë palestrës. Dhe te “Opinion” janë dy fytyra që nuk i njeh. Kështu ndodh sot. Por nuk të duhet të të zërë gjumi gjatë, për të hasur në media personazhe që nuk e di tamam-tamam si janë bërë të njohur…

Mediet janë të etura për ata. Ato socialet e përshpejtojnë procesin edhe më. Dhe ai pragu, që mendojmë se duhet t’i ndante të dyja, pothuajse është zhdukur, dera e mediave klasike është e hapur për personazhet e mediave sociale, nëse ata ia dalin të dallohen aty. Kështu që duhet të fërkosh sytë e të fiksosh personazhet që hyjnë në arenën publike dhe zënë vend. Një nga ato, është sigurisht edhe Irena Kita… biondja elegante, e njohur për stilin e veshjes, me një blog dhe faqe aktive Instagram-i ku e shpalos atë, ashtu si dhe në emisionet dhe faqet e revistave. Një personazh i vërtetë televiziv tashmë. Por si ka arritur deri këtu Irena Kita?

Ja një intervistë e plotë që përmbledh rrugën e saj të famës, që është pa kthim pas, pasionet e vogla dhe të mëdha, jetën familjare dhe atë që ndahet mes botës së modës dhe zyrës juridike, ku imazhi është gjithashtu një kartëvizitë dhe kapërcimet nga një mjedis te tjetri, të cilat nuk janë të pamundura për një grua që ka mësuar të vrapojë me taka.

Foto: Orsola Mema Class Photography

Si ju ka lindur dëshira për të dalë nga jeta e zakonshme e një profesionisteje dhe për t’u bërë personazh i publikes?

Është diçka që u maturua vetë, si rrjedhojë e blogut që hapa para tre vitesh. Pasioni i madh për të bukurën dhe modën më vunë në vëmendje dhe kjo mori rëndësinë e vet. Që e vogël më ka ndjekur dëshira për të krijuar dhe kombinuar veshjet sipas stilit tim. Mendoj se Italia e përforcoi shumë këtë dëshirë duke më personalizuar dhe pjekur në stil.

Me çfarë synimi e hapët këtë blog?

Ka qenë për pasion dhe me anë të blogut e materializova. Më vjen shumë mirë kur dëgjoj që stili im frymëzon edhe vajza të tjera.

Nëse e keni pasur pasion që fëmijë modën pse zgjodhët të bëheshit juriste? E menduat ndonjëherë të zgjidhnit një profesion që do ju bënte më lehtë të njohur?

Studimet në një shtet tjetër u lidhën fort edhe me historikun e qytetit që zgjodha. Ishte pikërisht Universiteti i Bolonjës që daton në shekullin XII dhe Fakulteti i Juridikut ngelet një degë shumë e lakmuar në këtë qytet dhe pa diskutim një pasaportë shumë e mirë për karrierën e kujtdo që e përzgjedh. Juristë të jashtëzakonshëm ka nxjerrë ky universitet dhe ka qenë dhe vazhdon të jetë pikë referimi për jurisprudencën.

Hair&Makeup: Monaliza dhe Erjona, Class Make Up

Po pasioni për modën, ai i vegjëlisë, bëri pak pushim gjatë viteve të studimeve, apo është rritur me ju?

Gjithmonë kam qenë e apasionuar dhe krijoja veshje, në vogëli për kukullat, tani për vete dhe për vajzën. Më pëlqen të eksperimentoj me veshjen duke qëndruar brenda stilit tim. Është kjo, mendoj, që e bën të veçantë një person në identifikimin e stilit.

Cila ka qenë intervista e parë që ju kanë kërkuar? Si e pritët?

Ka qenë për një revistë dhe e prita me shumë dëshirë.

Po dalja e parë në ekran? Për çfarë ishit më shumë e shqetësuar atëherë?

Kur fitova një konkurs në Rin-Fest që kishte lidhje me sfilimin e veshjeve dhe bukurisë. Atëherë isha vetëm 17-vjeçe dhe kam qenë e ftuar tek Alba Tv mos gaboj. Kisha shumë emocione, po më dilte zemra nga kraharori.

Tani kur ftesat në studio janë bërë të zakonshme, mendoni të shkoni më tej, të keni veç blogut, edhe një program mbi modën në ndonjë TV, ose të hapni një revistë mode?

Do të më pëlqente shumë një program mbi modën ose sportin. Jam gjithmonë e hapur ndaj ofertave.

Gjatë kësaj kohe, kur jeni bërë një fytyrë e njohur, keni dëgjuar ndonjë histori të çuditshme për veten?

Jo, deri tani. :-)

Nëse një ditë do të ndodhte të lexoni dicka që nuk do ju pëlqejë, keni një ide në mendje si do silleshit ndaj kësaj?

Strategjitë i krijoj në bazë të situatave. Njerëzit flasin dhe do flasin gjithmonë. E rëndësishme është që të ruajnë etikën dhe t’i dinë limitet e shkrimit.

Për çfarë mendoni që ia vlen të flitet për ju?

Për atë që unë përcjell.

Sa kohë i kushtoni blogut tani?

Sa herë kam kohë të lirë i kushtoj vëmendje edhe blogut. Përpos atij, tani rrjetet sociale më të ndjekura janë të shumtë, por do veçoja instagram-in, të cilin e update-oj shumë shpesh.

Sa kohë kaloni në rrjetet sociale?

Jo shumë, pasi dita ka ngarkesat e veta.

Pse është kaq i rëndësishëm stili dhe pamja për ju?

Është kartëvizita jote e parë, kontakti i parë me këdo që takojmë. Për ne është e rëndësishme të jetojmë në komunitet me njerëz të tjerë dhe rrjedhimisht dëshirojmë që të krijojmë marrëdhënie të mira me ta. Para se të shkëmbejmë fjalët e para me njerëz të panjohur, ne komunikojmë me ta nëpërmjet pamjes tonë. Pra, se si do të na qasen të tjerët – me respekt, me injorancë, me përbuzje, këndshëm - varet kryesisht nga veshja jonë, e cila flet më shumë për ne, sesa ne kemi mundësi të përshkruajmë me fjalë. Veshja ka të bëjë shumë edhe me statusin social që një person ka. Kjo ka qenë e evidentuar që në lashtësi dhe mendoj se vazhdon të jetë edhe tani.

Ka personazhe që ju frymëzojnë?

Pa diskutim ikona të modës Coco Chanel, Jackie Ó, Grace Kelly etj.. Vlerësoj shumë stilin që ato kanë përcjellë, pasi brenda tij ka shumë feminilitet, gjë që asnjëherë nuk duhet të mungojë te një femër.

Ju si do e përkufizonit stilin tuaj?

Stilin tim mund ta përkufizoj klasik të ndërthurur me sportiv dhe anasjelltas. Ky lloj përcaktimi lidhet ngushtë me pasionet e mia të mëdha, sportin dhe fashion-in.

Nëse do ju kërkonin disa sekrete stili, çfarë do këshillonit?

Përpiquni të jeni gjithnjë në harmoni me veshjen dhe eventin, ose vendin ku do të jeni të pranishëm.

Pastërtia është një element primar në veshje, prandaj jini gjithmonë të pastër dhe do të shndrisni përherë.

Kujdes me aksesorët, pasi do dukeni si pema e Vitit të Ri. Ato duhet të jenë sa më të përshtashme me veshjen.

Këpuca, ose sandalja është po aq e rëndësishme sa veshja, jepini rëndësinë e duhur. Përpiquni ta keni në harmoni me veshjen, ose nëse doni të godisni, pikërisht te pjesa e poshtme e këpucës, ose sandales, qëndroni te një look totalisht njëngjyrësh dhe i thjeshtë.

Përpiquni që të qëndroni pranë trukut natyral paraditeve pa u ngarkuar shumë.

Për fotot apo daljet në ekran bashkëpunoni me ndonjë stilist shqiptar, nëse jo, cili është burimi i veshjeve tuaja?

Për momentin nuk bashkëpunoj me ndonjë stilist. Veshjet janë përgjithësisht të blera, por nuk mungojnë ato të krujuara nga vetë unë.

Flasim pak për pasionin tjetër, sportin. Sa kohë në ditë ose në javë u kushtoni ushtrimeve?

Aktiviteti fizik është gati i përditshëm duke i kombinuar shpesh sportet. Gati dy herë në javë notoj dhe ditët e tjera i përkushtohem kryesisht tenisit, kardio-s dhe fitness-it. Këtë jetesë e kam filluar që ku kam qënë adoleshente dhe ndjehem mrekullisht shumë mirë me veten time.

Kur keni filluar të luani tenis? Si e zbuluat këtë sport?

Tenisi është një ndër sportet që dashuroj. Ai është si jeta. Të duhet shumë punë dhe mund për t’u perfeksionuar. Është viti i nëntë që luaj dhe kryesisht luaj me profesorin tim.

Trupi juaj ka qenë gjithmonë me këto linja, apo është shndërruar pas kësaj stërvitjeje?

Gjithmonë në këto linja. Tani mund të them është më i tonifikuar.

Pak më parë postuam disa foto tuajat shtatzënë, kur ishit në formë shumë të mirë. Sa kohë nga lindja e vajzës u ktheve në peshën tënde ideale?

30 ditë pas lindjes së vajzës isha në këtë formë fizike që jam edhe sot.

Sa vjeç është vajza? Ka nisur ajo t’i kushtojë rëndësi pamjes? Mund të kthehet gjithashtu në një fashioniste të vogël?

Vajza ime është 5 vjeç dhe deri tani shijet e saj iu përafrohen shumë të miave. Mendoj se jam një shembull shumë i mirë për të dhe përsa i përket a do të jetë një fashioniste e vogël tashmë ajo është, pasi ka shumë stil në mënyrën si e përfaqëson veshjen.

Si e kaloni kohën në familje me vajzën dhe bashkëshortin? Cilat janë aktivitetet tuaja më të dashura?

Jemi të tre të apasionuar ndaj udhëtimeve dhe shpeshherë në fundjavë shkojmë jashtë Tirane ose Shqipërie dhe shijojmë kohën të tre së bashku. Kemi një marrëdhënie shumë solide dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Vajzën e shoqëroj kudo dhe më vjen shumë mirë që edhe ajo e do sportin me të njëjtin pasion.

Cila është pjata juaj e preferuar nga duart e Arvinit, meqë ai është një chef?

Janë shumë, pasi ai është thesar nga kjo anë. Gjithmonë më surprizon me artin që përcjell në ushqim.

Si i keni marrëdhëniet me ushqimin? I ndaloni vetes diçka për hir të linjave?

I kam shumë të mira. Ha shumë shëndetshëm dhe kjo më bën të ndihem mirë me veten.

Po ndonjë pasion tjetër keni? Çfarë vlerëson më shumë në jetë?

Këto që kam më mjaftojnë. N.q.s. i bëj siç dua vetë më plotësojnë tërësisht. Më e rëndësishmja është të ndihem e plotësuar në aspektin familjar dhe profesional.

Miqtë e së përditshmes, cilës fushe i përkasin?

Fushave të ndryshme, por më shumë janë juristë. Janë të gjithë të suksseshëm në profesionin e tyre. Gjithmonë, i kam zgjedhur shokët më të mirë se veten, në mënyrë që të marrë dhe të jap gjërat më të mira.

Ju kujtohet filmi “Legally Blonde”...Ju jeni një bionde origjinale? Nëse jo, pse e keni bërë këtë zgjedh je?

Hahahahah. Jam brune origjinale, por më pëlqen shumë ngjyra e artë në flokë dhe për këtë jam bërë bionde. Kjo ngjyrë m’i zbut tiparet dhe më ëmbëlson.

Do i lejonit vetes të dilnit casual dhe pa grim në ditët e pushimit, apo keni krijuar një imazh dhe dëshironi ta ruani?

Profesioni i juristes kërkon një prezantim sa më dinjitoz. Të tillë e kemi edhe ne në zyrën tonë. Punoj me dy kolege të miat dhe mbulojmë shumë fusha së bashku. Unë jam kryesisht civiliste dhe merrem edhe me çështjet e ndërmjetësimit. E përmenda edhe më parë që veshja është impakti i parë dhe kartëvizita më e mirë në çdo aspekt profesional. Jam shumë e kujdeshme me të. Përsa i përket trukut, jam gjithmonë me një tualet minimalist, pasi nuk më pëlqen ai i rënduari. Përsa u përket ditëve të pushimit jam sport dhe kryesisht pa grim.

Objekti ose veshja me e çmuar që keni në gardërobë?

Ora dhe një kostum Dior.

Në punë, gjithmonë me taka? Po në ditët e tjera?

Në punë gjithmonë me taka. Unë vrapoj me to :). Në fundjavë kryesisht jam me atlete.

Xhinset, kur dhe ku?

Kurdo. E rëndësishme të ndihesh komode dhe të jenë të veshura me klas.

Ka diçka që nuk shfaqet kurrë në ekran nga Irena e jetës së përditshme?

Më pëlqen të jem Irena kudo që ndodhem. Mendoj se në ekran kam reflektuar këtë që unë realisht jam.

Mendon që keni zgjedhur rrugën e duhur drejt njohjes? Nëse do mundeshit, do ndryshoje diçka?

Shpeshherë gjërat janë të destinuara të ndodhin dhe të marrin një rrugëtim të vetin. Gjërat ndryshojnë, në mënyrë definitive. Nëse luan në violinë duhet të ndjekësh meloditë e reja dhe të shkosh ku të çojnë. Por mbi të gjitha duhet të jesh vetvetja dhe të mos i lejosh të tjerët të të transformojnë dhe të vendosin për ty.