Me siguri duke dëgjuar fishekzjarrët në sekondat e para të këtij viti, Arilena Ara ka kaluar nëpër mend ngjarjet e rëndësishme që e presin gjatë tij. Dhe duhet të jetë lutur për të pikuar pak bekim nga atje lart. Për këngën e re…sepse ajo është në atë fazën ku përgjegjësia rritet, çdo këngë e më shumë. Për provimet e shkollës së mesme… sepse, kush e ka harruar apo nuk e beson dot, Arilena është vetëm 17 vjeçe. Për studimet e larta që i nis po këtë vit. Dhe për të tjera...dhe të tjerë!

Tregohet e matur për të mos e artikuluar, që tani, sukesin që pret, por dëshiron fort që ky vit të jetë bekim në jetën dhe karrierën e saj. Në rrugën e kësaj të fundit, për Arilenën nuk ka më kthim pas. Nëse ia keni parë shkëlqimin, duhet të bindeni që nuk është prej meteori.

“Aeroplan” ishte bomba e parë e testuar jashtë laboratorit të X Factor, që arriti të shpërthente me sukses si hit. Më pas, me “Business Class” solli imazhin e konsoliduar të “femme fatale”që ishte shkëputur plotësisht nga pamja e dikurshme prej vogëlusheje. 17 vjeçarja, sot, mund të krenohet që ka interpretuar krijime të autorëve garanci, Darko Dimitrov, Rozana Radi dhe Timo Flloko. Më e fundit është “Vegim”, një dedikim të atit që nuk jeton më dhe që nuk arriti ta shohë suksesin e së bijës, këngë që solli, edhe për shkak të përmbajtjes emocionale, dimensionin e ndjeshmërisë, diçka e rrallë për t’u pretenduar nga një artiste kaq e re. Dhe tani është duke u marrë me produksione të reja, gjithmonë nën kujdesin e ekipit që e mbështet që nga X Factor, që ajo të bëjë zgjedhjet e duhura.

Image Maker: Miranda Dupi, Veshjet: HD Red Carpet

Kemi folur për gjithçka me Arilenën, në nisje të këtij viti domethënës ku ajo hyn edhe si një personazh televiziv e mediatik, pas pjesëmarrjes në DWM dhe një fotoje intriguese në prapaskenat e tij… Tashmë nuk është më vogëlushja çapkëne e X Factor 2. Është një vajzë e rritur, për të cilën mund të prodhohen lajme rozë, ashtu si prodhohen hite muzikore. Por edhe një editorial i mirëfilltë fashion, siç është ky shërbim fotografik nga Orsola Mema, nën kujdesin dhe fantazinë e Miranda Dupit.

Je cilësuar si vajza e vogël që u rrit shpejt…E ndien veten kështu?
Vajza e vogël që u rrit shpejt, prej disa vitesh nuk i njeh pushimet me familjen, apo argëtimin me bashkëmoshatarët. I jam përkushtuar tej mase ëndrrës sime për të arritur këtu ku jam sot, me të vetmin objektiv…suksesin! Të jem e sinqertë, ndiej që fati më ka përkëdhelur…Kjo më bën tej mase të lumtur dhe më jep kurajo për të vazhduar më tej!

Hair&Makeup: Monaliza dhe Erjona, Class MakeUp

Çfarë raporti ke me tre hitet e tua? Cili mendon që të përfaqëson më mirë?

“Aeroplan”-i është emocioni i parë dhe mbetet favorit për mua. Një këngë që më dhuron energji dhe dëshirë për të kërcyer kur e dëgjoj. Por në fakt, entuziaste jam për projektin e radhës që po punohet ndërkohë. Çdo këngë ka momentin e vet dhe unë zgjedh gjithmonë të dua më fort projektin e radhës, projektin tjetër që vjen. Unë fokusohem që në çdo këngë t’i tregoj publikut për Arilenën dhe në historinë time të muzikës, të gjitha projektet të flasin dhe të përfaqësojnë shpirtin tim.

“Vegim” është një këngë e cila u prit mjaft mirë nga publiku, edhe për shkak të fabulës dhe dedikimit. Për ty çfarë domethënie ka pasur kjo këngë kaq personale dhe si i ke përjetuar etapat e përgatitjes?

“Vegim” është një projekt mbi të cilin kemi investuar shumë bashkë me stafin. Kur them investim, e kam fjalën për kohën e gjatë që punuam për ta realizuar. Plot 3 vite iu përkushtuam për të sjellë një histori të vërtetë dashurie. Bëra një udhëtim mbrapa në kohë dhe kujtoja detajet më të vogla që t’i përjetoja edhe një herë gjatë tekstit, regjistrimit, xhirimeve të klipit. Jam e lumtur që gjithçka shkoi si e kishim planifikuar. Një dhuratë e veçantë, dedikuar babit për të gjithë kohën që ishim bashkë.

The që je e angazhuar me një projekt të ri. Na trego diçka më shumë për se bëhet fjalë

Po punojmë produksione muzikore që do publikohen së shpejti.  Ndërkohë po organizojmë kohën dhe lokacionet që këto ditë të fillojmë xhirimet e klipit të ri. Dua të zbuloj një gjë të rëndësishme të këtij projekti, do të vij me një bashkëpunim, por nuk do të them më shumë.

Mund të thuash që ke krijuar bashkëpunëtorët e tu besnikë gjatë kësaj kohe apo je në kërkim të të rinjve? Ka ndonjë emër të veçantë me të cilin do doje të punoje?

Sigurisht që kam krijuar bashkëpunëtorët e mi. Janë një skuadër të cilëve u besoj projektet e mia, por gjithashtu jam e hapur për bashkëpunime të reja.

Mendon të eksperimentosh me rrymat muzikore në të ardhmen?

Eksperimentet janë gjithmonë një risk i madh për këngëtarët, por nga ana tjetër dhe një mundësi për të dhënë dicka të re nga vetja. Për t’u kthyer te pyetja, më pëlqejnë eksperimentet, por gjithmonë duke mbetur brenda natyrës dhe stilit tim muzikor.

Pse nuk ke marrë pjesë në festivalet muzikore deri tani? E ke planifikuar këtë gjë për të ardhmen?

Unë kam marrë pjesë në një “festival” shumë të rëndësishëm që është “X Factor” kur morën pjesë 12000 konkurrentë dhe fitova. Për momentin, pjesëmarrja në festivale nuk është prioritet.

Po televizioni bën pjesë në planet e tua, pas Dance with me?

Jam destinuar për të qenë në skenë dhe gjithmonë pranë publikut. Di të them që viti 2016 do të jetë bekimi im!

Si është konkurrenca mes jush, këngëtarëve të rinj, në Shqipëri?

Respekt për të gjithë këngëtarët e rinj në Shqipëri. Sa më cilësore të jetë prodhimtaria, aq më e fortë do të jetë konkurrenca dhe aq më shumë produksione të bukura do të ketë.

Sa e përdor bukurinë në karrierën si këngëtare?

Bukuria nuk është vetëm sipërfaqësore. Unë e përkufizoj si pasqyrimin e shpirtit, prandaj mendoj që është e rëndësishme. Falënderoj Zotin dhe prindërit për këtë dhuratë të bukur që më kanë bërë, por edhe orët e shumta që kaloj në palestër janë në shërbimin e saj. Është fat të lindësh e apo i bukur, por për mendimin tim, sfida e vërtetë është ta mbash të tillë me kalimin e viteve dhe kujdesem në mënyrë të veçantë për këtë gjë. Pas zërit, gjëja më e rëndësishme për mua është pamja. Në televizion, është e paevitueshme që të mos kurojmë pamjen në detaje, por jashtë tij, jam gjithmonë natyrale.

Pra nuk ia lë në dorë vetëm geneve dhe moshës së re…

Jo…Në historinë e programeve të vallëzimit, siç është dhe “Dance with me”, personazhet heqin kilet e tepërta. Ndërsa unë shtova në peshë, 1 kilogram dhe sot ndihem në super formë. Kujdesem veçanërisht me mënyrën e ushqyerjes dhe bëj intensivisht aktivitet fizik, shkoj në palestër.

Sa e angazhuar je me rrjetet sociale? Sa rëndësi kanë për ty, mendon që të ndihmojnë për të rritur suksesin?

Rrjetet sociale janë bërë sigurisht pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Tashmë gjithçka funksionon online. Zënë një vend të veçantë për mua, është një nga mënyrat më të këndshme për të qenë pranë fansave dhe admiruesve të mi. Me anë të fotove dhe videove, ndaj me ta një moment të bukur të jetës sime, me pak fjalë gjithçka çfarë ndodh jashtë skene.

Si është dita jote prej 17 vjeçareje?

Kam përqendruar të gjitha energjitë e mia në muzikë. Pothuajse pjesën më të madhe të kohës jam në lëvizje nga një qytet në tjetrin me koncerte. Kohën që mbetet e kaloj me familjen.

Ndërkohë je në vitin e fundit të shkollës së mesme…Në çfarë dege dëshiron të studiosh? Do të qëndrosh në fushën e artit, apo ke dëshira të tjera?

Ky vit është shumë i rëndësishëm për mua pasi jam maturante dhe kam provimet përpara. Edhe pse nuk kam studiuar në shkollën e muzikës, unë vazhdimisht kam marrë leksione private kantoje me profesorët e mi që zëri im të jetë në formën e duhur. Dua t’ju rrëfej që për arsimin e lartë kam vendosur të zgjedh një sferë që është diametralisht e kundërt me fushën e artit, por që jam e bindur që do të më ndihmojë në formimin tim intelektual. Dua të specializohem për diplomaci pasi mendoj që më përshtatet shumë dhe e gjej veten në këtë fushë.

Të flasim pak për Dance with me. Çfarë mendon që të ka mësuar?

Magjinë e baletit…të udhëhiqesh nga ritmi dhe partneri. Kërcimi është ortak i rëndëishëm në muzikë dhe të tillë e kam konsideruar gjithmonë, por është ndryshe ta jetosh. Mësova ta dashuroj baletin me të njëjtin intensitet që dua këngën.

E mendove ndonjëherë fitoren?

Formatin e “Dance with me” e dashurova që ditën e parë dhe e vendosa ta konsideroj si një sfidë shumë të bukur me veten. Në çdo performancë kam përjetuar një ndjesi të veçantë. Nuk kam menduar asnjëherë për kupën, por qëllimi im ishte që sot ta kujtoja me nostalgji dhe dashuri të madhe atë eksperiencë nga e cila pa diskutim njoha shumë gjëra të reja. Kjo ishte ajo që doja, fitorja ime.

Ishe dakord me çmimin e parë të DWM, apo, për ty, meritonin të ishin të tjerë fitues?

Jam gëzuar shumë për Albërien dhe Veselin. Kam duartrokitur suksesin e tyre dhe i kam uruar me zemër.

Si është marrëdhënia me Labinot Gashin, pas spektaklit? Po me partnerët e tjerë?

Labi është një ndër njerëzit më të dashur për mua dhe unë e shikoj si vëllanë tim të madh. Jemi gjithmonë në kontakt. Për pjesën tjetër të kastit, njoha njerëz të mrekullueshëm dhe kolegë të mirë. Krijova një miqësi të sinqertë dhe të bukur me të gjithë. Është e pamundur të mos takohemi pasi kemi bashkëjetuar plot 4 muaj.

Në portale u përhap me shpejtësi një foto provokuese me Dj Sardin, pati vërtet diçka mes jush?

No comment.

Dashuria ideale si mund të ishte? Ka ndonjë në horizont që i përmbush këto kushte?

Ndjenjë e bukur, komunikim dhe respekt i ndërsjellë.