Këtë herë biseda jonë kishte një tjetër pikëtakim...Qasja parësore nuk ishte teatri, filmi, sheshet e xhirimit, kolegët, artistët, por prurja e tije fundit. Ndoshta, për shumëkënd ajo ka qenë dhurata speciale për këtë 14 shkurt. E ku ka më bukur se një libër i mbrujtur kryekëput me tharmin e dashurisë, që përshfaqet në formë letrare, simbolike, metaforike në pjesën dërrmuese të poezive të tij? Por jo vetëm kaq! Përmes letërsisë, ai ka depërtuar thellë në folezën e ngrohtë të zemrës së tij, aty ku është shtëpia me njerëzit më të dashur. Aty është Vera, dashuria e jetës, siç e quan ai, aty është e bija, Linda, dhe dy nipërit, David dhe Jonathan, aty latohet mjeshtërisht kujtimi për nënën, përmes dy poezive "Shpirti " dhe "Lejleku misterioz", por edhe poemat për copëzat e historive të jetuara në Amerikë.

Timo Flloko, një figurë që grish, një emër që sapo përmendet, lidhet sakaq me portretet e shumë roleve që e identifikojnë pa kushte si aktorin emblematik të historisë së suksesit të filmit shqiptar, ku në veçanti interpretimet e tij kanë lënë mbresa të pashlyera ndër breza e dekada. Sot, Timo është ulur në poltronin e poetit. Nga "Rob i manive" deri në librin e tij të dytë me poezi, "Kërcim në bosh" kanë kaluar plot 15 vite. Por natyra perfeksioniste e tij e ka cytur shpesh që t'i kthehet e t'i rikthehet çdo krijimi të ri, të heqë disa prej tyre, të shtojë të reja, të krijojë mjeshtërisht atë linjë poezie që e identifikon pa kushte. Libri i tij i dytë është tashmë në duart e lexuesit dhe aty mund të gjesh realitetin e nënshtresuar, që vjen si ndjesi, si metaforë. Raporti mes jetës dhe vdekjes, përkohësisë dhe përjetësisë, ku dashuria luan një rol lëvizës në gjithë këtë univers njerëzor.

Dhe për të centruar të gjitha dimensionet e dashurisë, ndoshta nuk duhet shkopi magjik i zanës. Ama pa dashurinë si lëndë e parë, si esencë, nuk mund të bëjmë dot. Për këtë ndjenjë kaq sublime janë shkruar kryevepra të letërsisë botërore, janë krijuar vepra arti të jashtëzakonshme, sa e sa filma e produksione kinematografike i thurin himn asaj, e të mos flasim pastaj për këngët e ndjera dhe muzikën që e qartëson aq bukur në tekste e nota të spikatura sakaq. Sepse tema e dashurisë është një nga temat substanciale të artit. Për të, tharmi i dashurisë sa duket qiellor, i qenësishëm, aq është thelbësor dhe i perceptueshëm. Sa i vështirë, aq është edhe i lehtë. E lehtë është në frymëzimin që ajo të jep kur e ke, kur e pret, kur kujdesesh për të. Timo vjen në sytë e lexuesve përmes penës së tij të hollë, ku mbrujten artistikisht realiteti, dashuria, njerëzit e çmuar dhe kujtimet. Sepse, siç e thekson edhe ai vet, gjithçka është çështje frymëzimi. E kush më mirë se Timo di ta vërtetojë këtë gjë? Nga pasioni për filmin e teatrin, tek poezia dhe librat, nga dashuria për Verën tek lumturia e mëngjeseve buzë oqeanit me vajzën dhe dy nipërit, nga përditshmëria e paqtë në bisedat e ngrohta me miqtë, tek një takim me kolegët, e gjithçka tjetër e bën jetën e tij të mbushet plot.

Ai nuk ka një kohë të përcaktuar që ia dedikon procesit të të shkruarit. Sepse për të, poezia si zhanër, është sa i vështirë, aq edhe me karakter spontan. Ndryshe ndodh në teatër. Aty koha ka limite, ka kufij. Sepse është aktori përballë spektatorit dhe ky dualitet "tradhtohet" nga njësia matëse e kohës, prej fillimit të rolit e deri në finalizimin e tij. Hera e fundit kur e pamë Timon në teatër, ishte me rolin e Dr.Dysard, figura protagoniste e shfaqjes "Equus",  e cila u duartrokit gjatë nga publiku në sallë e jehoi si suksesi i radhës i aktorit shqiptar.

Nuk mund të ndodhte ndryshe. Timo vendos shpirtin në gjithçka bën e thotë. Andaj është selektiv, perfeksionist. "Sepse në teatër, artisti instrument ka veten e tij përballë publikut. Në karrierën time si artist, kam interpretuar më shumë nëpër filma. Teatri është më i vështirë. Më i dashur. Roli i aktorit është abstrakt, nëse nuk fillon atëherë kur fillon shfaqja dhe nuk mbaron atëherë kur mbaron shfaqja. Krijimi i aktorit është përpara syve të publikut. Piktori e mbaron punën e tij në telajo. Shkrimtari në libër. Në këtë pikëpamje, teatri si art i gjallë, e bën aktorin ta përsosë veten. Ndërsa poezia, që të shijohet, duhet të perceptohet",- thekson ai. Timo kërkon gjithmonë rolin që e përfaqëson, është në proces të vazhdueshëm kërkimi, sepse e tillë është natyra e tij. Mund të kishte sjellë dyfishin e numrit të filmave ku ka interpretuar deri më sot, por kjo nuk do e bënte më shumë artist të kompletuar, të suksesshëm. Filtrat përzgjedhës, nuhatja, mesazhi, gjithçka tjetër ndërton profilin e një aktori që vjen nën petkun e personazheve të njohur e bën atë mbi gjithçka një artist me vlera.

Sepse TimoFlloko i tillë është! Një leksion i gjallë për jetën, suksesin, famën e dashurinë. Dhe ne këtë e dimë fare mirë...

Pas "Rob i manive", një tjetër botim i ri me poezivjen me një titull mjaft të spikatur.  Pse “Kërcim në bosh”?

Kjo botë hipotetikisht thuhet se erdhi nga shpërthimi i madh. "BigBang"-u dhe ky libër është një shpërthim i llojit të vet, disi imagjinar, metaforik dhe simbolik. Koncepti i boshit shtrihet gjerësisht në shumë poezi të këtij vëllimi dhe tek poemat, veçanërisht"Pandehmë në NeëYork" dhe "Përtej jetës". Sigurisht, boshi është prezent kudo.

Të shkruarit është prehja e sigurt, ku ju uleni shpesh për të jetësuar histori njerëzore o individë të caktuar. Ju nuk orvateni ta quani veten një poet, ama frymëzimin si proces nuk e fshihni aspak. Ç’vend zë letërsia në jetën tuaj?

Nuk e quaj veten poet për faktin se profesionalisht jam aktor, por në të vërtetë poezinë e kam pasur më shumë se hobi, gjatë gjithë jetës sime kam shkruar. Ndoshta nuk kam qenë aq shumë prezent me krijimtarinë time, edhe pse ky është libri i dytë që botoj. Kjo, në kuptimin e sjelljes sasiore të poezive, sesa në cilësinë e tyre. E them, pa modesti, që hyj në radhët e poetëve. E kam dashur gjithmonë letërsinë, kam dashur të studioj në këtë profil, edhe pse shkolla e gjuhë-letërsisë nuk të bën shkrimtar. Që në rininë e hershme kam shkruar poezi. Jam rritur në Vlorë, me origjinë jam gjirokastrit, kemi një shtëpi në Gjirokastër që ka ndërtuar gjyshi im, në Palorto, përballë gjimnazit "Hasim Zeneli". Nuk kam jetuar fizikisht në Gjirokastër, por këtë qytet e kam jetuar përmes filmave ku kam interpretuar. Në moshë të vogël, kur shokët e mi shkonin në plazhe, unë shkruaja tregime, novelëza, isha asokohe shumë i frymëzuar nga Çehovi, nga Turgenjevi, apo nga autorë shqiptarë të tregimeve si Kuteli, SotirAndoni, etj.  

Janë të shumtë elementët që “ngjyrosin” stilin e jetës suaj e më pas ato shpalosen mjeshtërisht në poezi të ndjera, disa syresh prej tyre të dedikuara për personat më të rëndësishëm në jetën tuaj. Verën e quani “V” në poezinë tuaj. Pse kjo gjetje? Është thjesht me karakter letrar apo ka diçka pas?

E them në një varg të poezisë për të..."Ra një yll, unë e di sekretin, nga ekuacioni magjik i Ajnshtajnit. "V"-ja është një metaforë e gjetur në këtë poezi, sepse V-ja bashkon dy skajet në të njëjtën pikë dhe i çon ato në infinit. V-ja është germa iniciale e emrit të dashurisë për mua, siç është Vera. 

Letërsia ka fatin që të prekë artistikisht realitetet tona, nga ato më ulëritëset, tek frikat, krizat, sprovat…Si e përcillni këtë frymë ju përmes librave tuaj?

Realiteti është i nënshtresuar, vjen si atmosferë, si ndjesi. Në këtë vëllim nuk ka shumë poezi të karakterit social, elementi social nëpër to shtrihet në disa nënkuptime, metafora, si disa poezi që e shprehin këtë gjë, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kryesisht, libri sjell raportin mes jetës dhe vdekjes, të përkohësisë dhe përjetësisë, ku dashuria luan një rol lëvizës në gjithë këtë univers njerëzor.

Dashuria dhe hyjnizimi i saj, vijnë në një stil unik në këtë libër. Si është të shkruarit për këtë ndjenjë sublime?

Tema e dashurisë është një nga temat substanciale të artit. Letërsia, piktura, skulptura, teatri, filmi, asnjë zhanër i artit nuk mund të kuptohet pa dashurinë. Ndryshe, si do ta realizonte Botticeli Venerën? Tharmi i dashurisë, sa duket qiellor, i qenësishëm, aq është edhe thelbësor dhe i perceptueshëm. Sa i vështirë, aqështë edhe i lehtë. E lehtë është në frymëzimin që ajo të jep kur e ke, kur e pret, kur kujdesesh për të.

Një ditë e zakonshme e juaja si nis?

Ka një ritual çdokush, mendoj. Unë, përgjithësisht, e nis ditën me vendosjen e inercisë. Kam një shpejtësi fillestare që është e ngathët paksa në mëngjes, pastaj gradualisht vjen procesi përshpejtues i gjërave. Dua që të dal, të takoj miq, të pi një kafe me ta, të bisedoj. Energjitë janë gjatë ditës, ka një moment kulmi, ndërsa darka është më e paqtë, është e dedikuar për miqtë, familjarët. Por, dita ime ka edhe angazhimin me provat në teatër, me të shkruarin, është energji që ta jep vet drita e diellit.

A keni ju një kohë të caktuar që ia dedikoni krijimtarisë letrare, apo e gjitha është çështje frymëzimi, shkruani pa kohë e vend?

Jo, nuk kam ndonjë kohë të përcaktuar. Poeti e ka më të thjeshtë këtë aspekt...Nuk është si romancieri që duhet të programojë kohën gjatë ditës, të ulet të shkruajë. Romani kërkon përqendrim më të madh dhe një kohëzgjatje të procesit të krijimit. Nëse e gjen figurën e duhur që e mban linjën e poezisë, atëherë e ke mbërritur atë. Ka karakter spontan. Unë e intensifikoj punën, kur mendoj që duhet ta bëj gati për botim vëllimin. Nga "Rob i manive" deri tek "Kërcim në bosh" kanë kaluar 15 vjet. Poezitë aty kanë qenë. Shumë herë kam dyshuar në to, u jam rikthyer, mbase kam dyshuar edhe në idenë e nxjerrjes ose jo të librit. Erdhi një moment që vendosa ta botoj këtë libër dhe kjo ka ndodhur katër apo pesë vjet përpara. Gjithmonë e kam shtyrë. Jam kërkues. Jam perfeksionist si natyrë. Sepse askush nuk më detyron mua të shkruaj poezi. Ndryshe nga teatri, ku unë kam një afat për të nxjerrë rolin, aty nuk lëviz dot me afatet, me kohën. Ndërsa, në poezi e kam pasur këtë luks. Libri u botua për 14 shkurt. Jam ndeshur me veten time, kam korrektuar, kam shtuar poezi të reja, sepse kjo është natyra ime. Jam perfeksionist jo vetëm në procesin e të shkruarit, por edhe në teatër. Sepse në teatër, artisti instrument ka veten e tij përballë publikut. Në karrierën time si artist kam interpretuar më shumë nëpër filma. Teatri është më i vështirë. Më i dashur. Roli i aktorit është abstrakt, nëse nuk fillon atëherë kur fillon shfaqja dhe nuk mbaron atëherë kur mbaron shfaqja. Krijimi i aktorit është përpara syve të publikut. Piktori e mbaron punën e tij në telajo. Shkrimtari në libër. Në këtë pikëpamje, teatri si art i gjallë, e bën aktorin ta përsosë veten. Ndërsa, poezia që të shijohet, duhet të perceptohet.

Çfarë ju lumturon pa mëdyshje?

Në kuptimin filozofik, mbase disi fatalist, lumturia është kapërcimi i një drame. P.sh, kur kryen një rol të vështirë, pra mbërritja e tij me sukses është lumturi. Ndërsa, në kuptimin njerëzor, lumturia janë gjërat e vogla. Dashuria për gruan, dashuria ime për Verën më lumturon, ngjyrat që ajo sjell në jetën time, sepse jemi natyra të ndryshme, është ajo që e motivon lumturinë time, dhe ajo që mua më frymëzon. Është vajza, janë nipërit. Kjo është lumturia. Por, edhe një kafe e pirë me një shok, me një koleg, aktor, të gjitha krijojnë një univers të lumturisë. Lumturia ime më e madhe në këtë hapësirë, është kur shkoj në Los Angeles dhe aty, në ditë të gëzueshme, buzë oqeanit, diku në Malibu apo SantaMonica, jam me Davidin dhe Jonathanin, nipërit e mi, me Lindën, vajzën, me Ilanin, dhëndrin tim, Verën sigurisht, dhe shijojmë të gjithë së bashku një mëngjes buzë oqeanit, edhe pse oqeani nuk është i bukur si Adriatiku, u them atyre. Nuk e shijoj të larët në det, por ka një bukuri imponuese. Gjëja më e bukur është të shoh ata fëmijë të vrapojnë buzë oqeanit dhe të luajnë me valët e tij.

Njeriu që ju njeh më mirë në këtë jetë, a është bashkëshortja juaj?

Sigurisht që po! Nuk jam i sigurt nëse më njeh ajo më shumë mua apo unë veten time. Këtë kufi s’e dalloj dot. Aktori ka gjithmonë nevojë për një sy të jashtëm, për një regjisor, atëherë them se Vera më njeh në substancë, më mirë seç e njoh unë veten.

 

   Ra një yll

   (V-s)

Endem në univers,

nëpër yjësi,

përtej fantazisë...

Në mend të kam ty.

 

Zbres në hënë.

Det’ i  Qetësisë,

Atje, një shenjë lë,

për hir të dashurisë,

inicialin tënd,

“V”,

që era kurrë s’e fshin.

(E di ti të fshehtën:

Erë në hënë s’fryn...)

 

Ëndrra si një balon ere,

Më merr në largësi...

E pazakontë, duket, sublime...

Në hënë si në ëndërr ngadalësohet

ritmi i fluturimit,

Sendet e humbasin peshën,

por jo esencën...

 

Endem si eremit,

gjashtë herë më i lehtë se trupi im,

i çliruar nga rëndesa e vetes,

nga çdo paradigmë...

Dashuria përherë enigmë,

gravitacion biblik!

E di nga Ajnshtajni,

ekuacioni magjik...

V-ja afron dy skaje,

në të njëjtën pikë

dhe i çon ato,

në infinit!

 

Nga shkëlqimi i përkohtë një meteor u fik.

Teksa shkrihet në rënie,

terri e përpin...

E fal trupin, jo dritën e tij!

 

E preka me sy,

u fik e ra,

në humbësi...

Mendoj për ty.

 

Nesër, sa të lindë dielli,

Krahët të m’i shkrijë,

si meteor në s’u djegsha,

varur do mbetem qiellit.

 

Ka diçka në jetën tuaj që ju bën të pasigurt?

Më bën të pasigurt çdo fillesë...Kjo më krijon trysninë dhe përgjegjësinë për ta kryer. Frika, pasiguria janë të alternuara me besimin. Kur marr një rol në teatër, matem shumë mirë me veten përpara se ta pranoj. Edhe në karrierën time, në filma, gjithmonë kam qenë selektiv. Kam kthyer shumë filma që më janë propozuar. Mund të kisha bërë trefishin e numrit të filmave që kam realizuar deri më sot. Nuk e kam bërë për këto arsye: sepse nuk i hyj një pune që nuk më motivon. Jam afeksionuar nga vlerat artistike të rolit, pastaj e kam kryer. Arti është si dashuria.

Ç’vend zë Peja, qyteti juaj i lindjes, në procesin e krijimtarisë? Besoj kujtimet ndër më të vyerat për ju pikënisjen e kanë në atë vend apo jo?

Kam jetuar tetë vite në Pejë. Tek unë ka mbetur ende aroma e klimës së këtij qyteti. Aty është një klimë kontinentale. Bashkë me të, më vijnë dhe kujtimet. E ruaj si një film. Në shtëpinë ku kemi jetuar në Pejë, përballë me portën kishim kinemanë e qytetit. Kur isha në moshë të vogël, shkoja shikoja filma me kauboj. Sigurisht, në Shqipëri të tillë filma nuk shfaqeshin atëherë, sepse flasim për vitet e diktaturës. Peja ishte më e hapur në këtë drejtim. Më pas, në këtë kinema u shfaqën disa filma shqiptarë, mes tyre "Malet me blerim mbuluar" dhe "Lulëkuqet mbi mure". Dhe mbaj mend që atëherë më shkroi tezja ime, në momentin që unë u shfaqa si aktor në film ku recitoja poezinë e Fan Nolit "Anës lumenjve". Ajo më tha se “duartrokiti e gjithë kinemaja dhe mua m’u kujtua që në atë kinema ku ti shihje filmat me kauboj, unë të shihja ty” dhe kjo ishte kaq mallëngjyese.

Ju i dedikoni një poezi edhe mamasë suaj, e cila ishte malazeze. Çfarë raporti keni pasur me të?

Raportin që ka një bir me nënën. Ajo ka qenë një grua e thjeshtë, shumë e dashur, e thellë, e mirë. Asaj i kam kushtuar poezinë e parë të këtij libri, "Më solli një lejlek". Aty është shprehur i gjithë raporti mes meje dhe saj, në fillesë. Asnjë frymëzim nuk vjen krejtësisht në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur shkruaj për nënën, shkruaj për të gjitha nënat, për ndjenjat, për gjithçka.

Tema e ekzistencës, e shkuara dhe e ardhmja, raporti i stilit poetik mes jetës dhe vdekjes vijnë të sendërtuara në tërësinë e poezive tuaja. Pse i keni mëshuar këtij lloj subjekti?

Dëshira për t'i ikur përkohësisë, për ta sfiduar atë. Sepse fatalisht ne lindim, jetojmë dhe një ditë ikim nga kjo botë. Kam dashur që edhe kohët t'i centroj në një dimension. Edhe të shkuarën dhe të ardhmen, t'i shkrij në të tashmen, parimi i Borgesit. Shkrirja e kohëve. Për të zbuluar misterin, se çfarë është pas kësaj jete, deri tek ideja e rikthimit të shpirtit. Unë nuk besoj tek teoria e rimishërimit të shpirtit. Por, në kuptimin ideal, do doja ta besoja.

Të gjitha llojet e dashurisë pleksen bukur në këtë vëllim të dytë me poezi, nga dashuria për Verën, tek ajo për nënën, për vajzën, për nipërit David dhe Jonathan, tek thelbi i dashurisë si diçka individuale që shpaloset në tekste këngësh – të gjitha vijnë të mbrujtura me një penë të hollë. Cili është sekreti?

JohnLennon thotë: "Loveis the answer", "Dashuria është përgjigjja". Mbaj mend, në një mbrëmje mes miqsh, Vera ngriti një dolli për të ftuarit dhe ndër të tjera, tha: "JohnLennon thotë që dashuria është përgjigjja, por unë them që dashuria është e vetmja përgjigje". Kjo më pëlqeu. Ky vëllim përshkohet nga kjo ndjesi. Dashuria i bashkon të gjitha gjërat dhe kjo nuk është parë në raportin e dashurisë së një burri për një grua, e atit për fëmijën, e birit për nënën, të gjitha dimensionet. Këtu koncepti i dashurisë universalizohet. Ndryshe, nuk do e kisha shkruar.

Herën e fundit që ju pamë në skenën e teatrit shqiptar kishit rolin e një mjeku psikiatër, tek “Equus”. Një interpretim brilant i duartrokitur gjatë, një sukses i pashoq. Kur do ju shohim sërish në skenë?

Siç thashë, unë jam selektiv. E dua teatrin. Teatri është art magjik. Ka misterin e vet. Ka të papriturat dhe mundin e vet. Teatri më përgjithëson, më shpërthen, më transformon, më përmbyll, më izolon, saç më përshfaq. Kur unë punoj në teatër, jam më shumë bota ime, vetja ime, sepse teatri është arti i transformimit nga vetja në tjetrin. Nuk luan veten aktori, por përdor veten për të shkuar tek tjetri, tek roli. Unë kërkoj atë rol që më përfaqëson. Rolet nuk janë gati. Por, nëse ndodh si me "Equus", që gjeta Dr. Dysard, ky rol më tërhoqi shumë. Autori i saj është PeterShaffer, autor i madh anglez që ka vdekur para dy vitesh. Kjo shfaqje është vendosur në shumë teatro të botës, madje është luajtur dhe film, ku rolin kryesor e ka interpretuar RichardBurton. Madje në një moment, regjisori i shfaqjes, DinoMustafiq, tek ajo karrigia e rolit që interpretoj unë, në shpinore të saj ka të shkruar RichardBurton, TimoFlloko. Ai e ka bërë këtë gjë si një detaj. Do doja të luaja edhe në film...Kam një brengë, që ta lesh krijimtarinë në kulmin e vet. Nga vitet 90'-të, u bën vetëm disa filma, si "Vdekja e kalit", "Përdhunuesit", më pas bëra një film në Francë e disa filma në Amerikë. Nga viti 1994 e deri në vitin 2003, kur bëra filmin me Kujtim Çashkun, ku pata një rol simbolik, kishin kaluar gati nëntë vjet. Po mendoj për një skenar të duhur, mbase nuk është vonë. Nuk është se nuk më janë ofruar role, po nuk më kanë pëlqyer të shkruara në skenar. Prandaj, nuk kam marrë role këto kohë.

Foto: Orsola Mema 

Design: Petro Kosho