Fundi i vitit është një periudhë e ngarkuar për disa profesione. Kështu janë edhe për Rudina Dembacajn këto ditë, megjithëse për të, ka qenë rastësia që i ka grumbulluar angazhimet në fund të vitit. Brenda një jave ka disa programe dhe shfaqje, që kërkojnë kohë provash, kohë për të shkuar atje, kohë për të xhiruar apo interpretuar, 'Mos i fol shoferit', që e drejton vetë, "Dance with me", ku merr pjesë si konkurrente dhe "Boeing Boeing", komedia e regjisorit Kiço Londo, e cila po shfaqet në qytetet e Shqipërisë, ku Rudina është thuajse në 70 për qind të shfaqjes në skenë...

Megjithatë e gjeti kohën për ta realizuar këtë kopertinë. Shumë të veçantë! Është hera e parë që publikon Viktorian me fytyrë. Është kopertina e parë e vajzës dhe e familjes së tyre të vogël. Dhjetori ishte sigurisht muaji më i përshtatshëm. Muaji i festave, por dhe muaji i Viktorias e cila është lindur në 28 të vitit të kaluar.

Fotot: Orsola Mema

Festat do i shihni kudo në imazhet e kësaj kopertine, ndërsa vitin e parë të jetës së Rudinës si mami i Vikit, do e lexoni në fjalët e saj...

Fustani i Viktorias: Class Petite, koleksioni i ri

I kujtohet shumë mirë dhjetori i kaluar. Kanë qenë Krishtlindjet më të bukura të jetës deri në atë kohë, kur ajo, bashkë me gëzimin e tyre, ndiente lumturinë e lindjes së vajzës që po afronte. Viktoria do të lindte në datë 28. "Kur dëgjon të qarat e para të fëmijës, të merr kuptim jeta. Kur ma vunë vajzën në gjoks, m'u duk sikur deri atëherë kisha ekzistuar kot. Është një buqetë ndjenjash...nuk mund ta përshkruaj, është e patregueshme", kujton Rudina.

E kishte pritur për 9 muaj atë çast, e ndoshta në subkoshiencë edhe më shumë...dhe ishte më i mrekullueshëm seç e kishte imagjinuar... por Viktoria nuk ishte fare siç e kishte pritur. "Jo, fare...ishte një Aleks i vogël". Dhe vazhdon të jetë ashtu, siç e shihni.

Doktori i kishte thënë menjëherë pas lindjes që kishte bërë shumë mirë që kishte hyrë në operacion, por në atë kohë Rudina nuk donte të mendonte asgjë, vajza e vogël që lëvizte duart, hapte sytë dhe gojën e vogël, e lëshonte tingujt e saj prej bebeje, i kishte mbushur çdo cep të zemrës dhe mendjes.

Ndërkaq jashtë mureve të maternitetit njerëzit përgatiteshin për festën e Vitit të Ri... "Dolëm nga materniteti në datë 31 dhjetor. Më kujtohet që qëndruam atë ditë në një bar, unë, Viktoria, Aleksi, mami dhe tezja që ishte me ne dhe kaq për sa i përket Vitit të Ri. Aleksi me siguri duhet të më ketë bërë ndonjë dhuratë, por nuk më kujtohet". Festa e fillimit të vitit, ishte zbehur nga festa e fillimit të jetës me Viktorian.

Qëndroi me të bijën që nga dita e parë Rudina, duke bërë gjithçka duhej për të vetë.

"Edhe banjën e parë ia kam bërë vetë. Aleksi, mami, më ndihmonin për gjithçka tjetër, por me vajzën drejtpërdrejt jam marrë unë, çdo minutë, që nga dita e parë e derisa u bë tremuajshe". Këtu të vijnë në mendje të gjitha mamatë e reja protektive ndaj fëmijës së tyre të vogël, por nuk ka qenë kjo. "Ndoshta në ditët e para mund të isha disi protektive, si të gjitha nënat, por më pas e bëja vetëm nga kënaqësia. Viktoria ka qenë një bebe shumë e qetë, flinte thuajse gjithë natën dhe unë isha e çlodhur. Nuk kisha arsye përse t'ia lija kujdesin e saj dikujt tjetër". Viktoria ishte e mbarë, siç kishte qenë dhe gjatë shtatzënisë, kur Rudina nga nuk shkoi, ngjiti malin në Valbonë kur ishte pesëmuajshe, udhëtonte, takonte miq, merrte pjesë në festa, dilte me Aleksin...

Fustani i Viktorias: Class Petite, koleksioni i ri

Ishte vetëm një rrezik i fshehur gjatë shtatzënisë. Vajza e kishte pasur kordonin të rrotulluar dy herë rreth qafës, por në një pozicion që nuk dallohej gjatë vizitave dhe për këtë arsye mjekët e kishin pranuar idenë e lindjes natyrale. Rudina kishte dashur gjithmonë të lindte natyralisht dhe ashtu ishte vendosur, por diçka ndjeu pak kohë para lindjes. "Më tha diçka që duhet ta lindja me operacion dhe e vendosa. Unë besoj shumë te intuita ime. I thashë mjekut dhe lamë datën. Kur Viktoria lindi, mjeku më tha sa mirë që kishte lindur me operacion sepse kishte pasur kordonin dy herë të rrotulluar rreth qafës. Në atë kohë nuk desha të mendoja çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do kisha hyrë në sallë, por pas një jave nga lindja, ditën e parë që bëra dushin e plotë, shpërtheva në të qara nga ideja çfarë mund të kishte ndodhur nëse nuk do e kisha lindur vajzën me operacion". Lotët rrëshqitën me ujin si një shi janari, por kur Rudina doli nga dushi, dhoma ishte plot me diell. Aty ishte Viktoria!

Do të bëheshin të pandara për disa muaj. Rudina, edhe gjatë shtatzënisë, nuk ishte e angazhuar në asnjë projekt televiziv. Nëse dikush mund ta mendojë këtë si një arsye shqetësimi për një mama të re, do të gabohet. "Përkundrazi. Unë e kujtoj si një periudhë të mrekullueshme. Më mirë që nuk isha në punë sepse e shijova plotësisht". Megjithatë, pasi kaluan muajt e parë pas lindjes, duket vajza me shumë energji brenda saj, nisi të kërkojë ajër, edhe pse mami i Viktorias, mund të mos e kishte kuptuar.

"Në këtë kohë, më ftuan në Pasdite në Top Channel për të folur për humbjen e madhe në peshë, dikur, para se të dilja në ekran kur kam qenë fillimisht shumë e shëndoshë dhe gjatë bisedës me gazetarin e emisionit, ai më tregon për projektin e një mikeshës së tij avokate për një program me të ftuar në makinë. Vendosa ta provoj. Kështu jam bërë pjesë e "Mos i fol shoferit". Kishte ardhur koha që unë të nisja punë. Isha shumë e kënaqur duke qëndruar me vajzën, por jam e sigurt që pas disa kohësh do më fillonte të më mungonte puna, njerëzit, jeta jashtë shtëpisë dhe do bëhesha një nënë e mërzitshme për Viktorian. Do rrija më shumë kohë me të, por nuk do ishte kohë cilësore".

Floket dhe grimi: Monaliza Class Make Up Studio

Kështu, iu vu kërkimit për një dado dhe vendosi të niste punën në programin më të ri të "Ora News", të premten mbrëma. Aleksandri do ishte mbështetja kryesore. "Aleksi më dha shumë zemër. Aleksi në të vërtetë është mbështetja më e madhe në çdo projekt që unë nis. Unë funksionoj më mirë kur kam shumë angazhime njëherësh dhe ai e di këtë", tregon Rudina.

Megjithatë dita e parë jashtë shtëpisë dhe larg Viktorias nuk ishte aspak e lehtë. "Kam qarë disa herë gjatë asaj dite. Merrja shpesh në telefon dadon. Më dukej se kisha lënë përgjysmë detyrën më të bukur në botë". Gjithsesi, ajo ishte aty edhe për të qenë një mama më e mirë për Vikin, kështu që ishte e vendosur për të vazhduar.

Do të shfaqej në ekran vetëm pak muaj pas lindjes, me humorin e saj të këndshëm, me natyrshmërinë e rrallë, me të qeshurën e sinqertë dhe barkun që e tregonte lindjen e afërt. Një personazh 100 për qind i vërtetë! "Unë nuk kam dashur kurrë të dukem dikush që nuk jam dhe as të dukem e përsosur. Ndoshta kam një farë vetëbesimi që është meritë e babit dhe motrës sime të madhe që ma kanë ushqyer prej kohësh", tregon Rudina.

Tashmë ato kilet i ka hequr deri te dy të fundit, të mbetura madje sepse i kishte pasur, që para se të ngelej shtatzënë, nja katër kile tepër nga pesha e zakonshme. Mund ta shihni vetë në Dance with me. "Vetëm me dietë ushqimore i kam rrëzuar", thotë Rudina. Tashmë ajo është një specialiste e ushqimit të shëndetshëm dhe humbjes në peshë përmes tij që kur u kthye nga një vajzë mbipeshë në atë eleganten që njohim të gjithë nga ekrani.

Ndërkaq, programi do të shkonte shumë mirë, edhe pse Rudina nuk ishte plotësisht e kënaqur, donte më shumë dhe duket se i ka arritur në këtë sezon, ku dhe pret më tepër.

"Nuk më mjaftonte një program 40 minuta. Doja një orë të plotë. Ky sezon është më i mirë. Tani kam një shkrimtare që nuk e kisha sezonin e kaluar. Kemi skeçe, intervista. Jam dhe aktore, veçse drejtuese programi." Tashmë programi është të shtunën dhe zgjat një orë, ndërsa udhëtarët e taksisë, personazhe të njohur, sa vijnë e shtohen, duke zhvilluar me Rudinën biseda vërtet të këndshme.

"Ka disa që më thonë që duhet të jem më e keqe, që jam shumë sheqer me të ftuarit e mi, por unë nuk mendoj që dashakeqësia e bën një program më të bukur. Unë nuk do i vendosja kurrë të ftuarit e mi në kurthin e dashakeqësisë, unë jam e natyshme me ta dhe vetëm kështu ata mund të jenë të natyrshëm me mua dhe me publikun", thotë Rudina. Ka të njëjtin parim edhe për marrëdhëniet jashtë kameras, me njerëzit e televizionit që mund ta paragjykojmë si një mjedis jo shumë të përshtatshëm për një vajzë aq të çlirët e të natyrshme sa ajo, për shkak të konkurrencës së lartë, rëndësisë që i kushtohet imazhit etj. etj., por nuk është e vërtetë. "Jo, jo, ndihem krejtësisht në habitatin tim. Ne dëgjojmë shpesh që në Shqipëri askush nuk çan me të mirë e me të drejtë, por ja që unë jam këtu duke ndjekur gjithmonë rrugën e drejtë. Mendoj që njerëzit marrin mbrapsht atë që japin. Njeriu i vërtetë e gjen vendin kudo, jo vetëm jashtë shtetit. Unë kam zgjedhur të them gjithmonë të vërtetën e mirë dhe me të nuk krijohen kurrë prapaskena", thotë Rudina. Ndërkohë dhe personazhet e taksisë i vlerëson të gjithë njëlloj. Në një mënyrë apo në një tjetër, me të gjithë ka kaluar mirë.

E njëjta gjë dhe për Dance with me, ku u gjend fare rastësisht. "Unë po merrja Alketën për ta ftuar në programin tim, kur ajo më propozoi të isha në programin e saj". Zëvendësoi Fiori Dardhën, kolegen e Ora News, por kjo nuk do të sillte asnjë problem mes tyre, apo mes Rudinës dhe stafit të DWM. Sa për vallëzimin është duke u argëtuar pa fund. "Mua më ka pëlqyer gjithmonë vallëzimi. Nuk jam marrë kurrë me të profesionalisht, por më pëlqen shumë".

Është korrekte në prova, edhe pse i duhet të vrapojë menjëherë pas tyre, në xhirimet e programit të saj, apo të niset për në ndonjë qytet të Shqipërisë ku ka shfaqje. "Boeing Boeing", është përvoja e parë si aktore teatri dhe sapo ka rënë në dashuri me të, nga ato dashuritë e vërteta ku ana materiale bëhet e pavlerë. "Po më pëlqen shumë! Do luaja gjithmonë për kënaqësi. Edhe pse fitim material nuk ka fare. Teatri më ka magjepsur", thotë Rudina e cila, kështu e dashuruar siç është, është përfshirë në një tjetër shfaqje, këtë herë një monodramë me regji të Ina Gjonçit, ku Dembacaj do të shfaqë edhe anën e saj tragjike, një komedi e zezë, që do të shfaqet vitin e ardhshëm në Tiranë.

Duken shumë angazhime, por Rudina na e tregoi sekretin e saj që sa më shumë punë të ketë, aq më mirë performon.

"Ka vetëm një dizavantazh kjo ngarkesë, që kam më pak kohë për të shkuar në Lezhë e për të takuar babin që e kam pikë të dobët, sepse mami edhe vjen më shpesh". Tregon që e ëma është nga ato që mjafton t'i thuash në telefon që Viktorias i dhemb pak barku dhe niset për të ardhur, megjithatë marrëdhënia me të atin mbetet e veçantë. Është ajo marrëdhënia baba-vajzë, që ndoshta një ditë edhe ajo vetë do e shohë mes Aleksit dhe Viktorias dhe meqë ra fjala, ai është deri tani një baba i shkëlqyer që Rudina e vlerëson maksimalisht. "10 plus do i vendosja Aleksit si baba. Është shumë i përkushtuar dhe i dashur. Edhe pasdite, kur unë jam në punë, nuk e merr dadon, e mban vetë Viktorian dhe është i mrekullueshëm, siç është me mua. Viki është vërtet fryt i kësaj dashurie të fortë. Mendoj që kemi gjetur njëri-tjetrin. Për mua, lumturi është të jesh shpirtërisht aty ku je fizikisht dhe pranë Aleksit dhe Viktorias unë e ndiej gjithmonë këtë". Janë shokë e pastaj partnerë, ata të dy, të ndryshëm sa nuk ka, por specialistët e marrëdhënieve nuk gënjejnë kur shkruajnë që kjo e forcon dashurinë. "Ai është i qetë, unë jam impulsive. Ai është xheloz, unë nuk jam fare, por më mirë, sepse Aleksi është sexy kur bëhet xheloz, ndërsa unë nuk do dija ta shprehja me aq elegancë. Unë do i thosha 'të kam thy në mes, me gjithë atë'...". Të dashur lexues, Rudina Dembacaj!

Gjithsesi, ata janë vërtet një çift i shkëlqyer. Plotësojnë njëri-tjetrin si dikush t'i kish studiuar mangësitë e njërit, për t'ia dhënë tjetrit. Ai e inkurajon që të pranojë angazhimet që e përmbushin dhe është atje për ta duartrokitur, siç ishte realisht në Fier në premierën e "Boeing Boeing" apo në mbrëmjet e DWM, ndërsa ajo nuk niset për në punë, pa lënë gati drekën. "Jo se ma kërkon Aleksi, por unë, dhe sikur mos të kemi mundësi ta hamë drekën bashkë, dua të jem e qetë që ai do hajë një drekë të shëndetshme, sepse ai nuk e ka idenë fare dhe kush e di ç'do hante. Aleksi përgatit ushqimin e vajzës, por, për ne, më mirë të mos ia lësh në dorë". Ndërsa Rudinës i pëlqen gatimi. Nuk pretendon t'i vënë në kokë një kapele chef-i e t'i marrin mendime për receta, por di që gatuan mirë dhe pa stres aq sa nuk do të shqetësohej fare sikur t'i vinin për darkë dhe dhjetë veta. Madje dhe tryezën e festave, do e kishte përgatitur me kënaqësi vetë, siç do përgatisë atë të Krishtlindjeve, sepse më pas ata do të udhëtojnë jashtë Shqipërisë.

Me siguri, prindërit e Aleksit nuk kanë përse të ankohen. "Të kënaqur duhet të jenë", thotë ajo tashmë si një aktore humori. Në të vërtetë, është vështirë ta projektosh Rudinën si nuse, por do ishte e kotë, sepse ajo nuse klasike nuk është. "Në fillim mua më pëlqente të shihja reagimet e tyre kur ngacmoja Aleksin. Ata çuditeshin me mua. Më pas u mësuan. Sidomos me babin e Aleksit bëjmë shumë humor, sepse ai ma kthen shakanë. Nuk jemi nuse dhe vjehërr, jemi të rritur që argëtohen kur takohen", thotë Rudina. Ajo nuk është nusja klasike, por është nusja dhe partnerja që kushdo do e donte, që nuk i krijon kurrë shqetësime, bashkëshortit të saj. Nuk është nga ato që bëjnë 1 milion pyetje dhe që kanë për gjithçka përgjigje mohuese. Megjithatë në një pikë nuk arrin t'ia plotësojë dëshirën.

"Është diçka që nuk ia përmbush Aleksit. Udhëtimet. Atij i pëlqen shumë të udhëtojë, ndërsa unë jam pak më pasive. Tani që kam pasur dhe më shumë punë, është bërë e pamundur". Megjithatë festat po afrojnë dhe ata do të nisen për një udhëtim në datë 27. "Do të festojmë ditëlindjen e parë të Viktorias në Disney Land në Paris. Do të shkojmë dhe në Bruksel. Më në fund dhe Aleksit do i plotësohet dëshira për të udhëtuar".

Pizhamat: Women's Secret, TEG, Prenatal, TEG, Golden Point

Nuk shqetësohet mos vajza nuk do të jetë e qetë, edhe pse ajo është ende shumë e vogël. Viki nuk grindet asnjëherë kot. Edhe me ushqimin është e mbarë, ha gjithçka, si Rudina dikur...E po diku do t'i ngjante së ëmës! Kështu, me të mbyllur punët, do të bëjnë gati valixhet, do të vendosin aty edhe dhuratat përkatëse, që tani është herët për t'i thënë dhe do të nisen. Ka qenë një vit, me ndodhi e ndjenja shumë të përziera për Rudinën. Megjithatë, mbi të gjitha është viti i parë i saj me Viktorian dhe për këtë arsye, "është viti më i bukur i jetës" deri tani.

Në Disney Land, që këtë dhjetor do të ketë edhe më shumë aktivitete sepse parku i madh i lojërave mbush 25 vjet nga krijimi, do të shkojnë për Viktorian, vajzën që Rudina donte t'i vinte një emër mbretëror, por me siguri më të gëzuarit do të jenë ata. Dhe jo për lojërat, dritat, atmosferën, por për mbretëreshën e tyre!

Ndihmuan:

Drymades Inn

Fashion Group