Orinda Huta ka vendosur të tregojë jetën si bashkëshorte në shtëpinë e saj me Turin për Tirana Post. Shtëpinë e kishim parë në setin e përgatitjes së saj për dasmën dhe ndoshta edhe në ndonjë postim Instagrami, por këtë herë hapësira moderne që Turi dhe Orinda e kanë arreduar sipas shijes së tyre, duket shumë më e ngrohtë. Prej vatrës së ndezur sigurisht, por edhe prej bisedave që rrotullohen rreth gatimit dhe përqafimeve në divan.

Meqë ra fjala...ata kanë në dhomën e ndenjies një divan të stërmadh. Si për çdo shpikje, edhe para këtij divani, ti mendon si ka mundësi që nuk të ka shkuar mendja më përpara. Të gjitha çiftet, por edhe vëllezërit e motrat e kanë ndier mungesën e hapësirës sa herë kanë dashur të shtrihen në të njëjtin kah për të parë një film. E pamundur, nuk mund të lëvizësh krahun, pa ia futur me bërryl atij që ke ngjitur. Por Turi me Orindën e kanë gjetur zgjidhjen. Kështu që dhe ju që jeni duke arreduar shtëpinë, mund të frymëzoheni prej tyre. Ata kanë porositur një divan të gjerë ku ka mjaft hapësirë për të dy.

"Kemi pasur të njëjtin problem në shtëpinë  e prindërve, apo në shtëpitë e tjera ku kemi jetuar bashkë: nuk qëndronim dot shtrirë nga i njëjti krah sepse nuk kishte hapësirë mjaftueshëm. Kështu që investuam në një divan të bollshëm që mos të godisnim njëri-tjetrin me shqelma", ka thënë Orinda në intervistën për Tirana Post.

Ndërkohë me uljen e temperaturave dhe shkurtimin e ditëve, kalojnë orë të tëra mbi atë divan, gjatë mbrëmjeve, edhe pse jo aq shumë sa do donin, për shkak të angazhimeve të të dyve. Shohin filma, hanë gështenja ose fara të pjekura, pinë çaj apo verë të ngrohtë...

Kjo, pasi Orinda ka përgatitur darkën. I jep kënaqësi përgatitja e të paktën një vakti dhe është e zonja mjaftueshëm për të kënaqur Turin dhe veten me recetat që përgatit. Në të vërtetë, me ç'ka thënë nusja e re, në shtëpi më shumë punë bën ajo sesa Turjani, siç e thërret bashkëshortin e saj që nga dita e parë.

Ai as oxhakun nuk e ndez. Madje dhe kur Orinda ia lë gati, vetëm sa për të ndezur shkrepësen. Ai e provon, oxhaku nuk ndizet dhe ai ndez kondicionerin, por Orinda megjithëse është ekspresive nuk kthen në arsye grindjeje çdo neglizhencë të Turit. Ajo i merr me sportivitet ato dhe sa shkon kjo fjalë për skenën e çdo dite kur Orinda argëtohet me shkelmimin si top të atleteve që Turi i lë në mes të shtëpisë! Edhe pazarin ajo e bën, por kjo nuk do të thotë që Turi nuk sjell në shtëpi ato që kanë mbaruar apo i kanë dalë nga mendja Orindës.

Janë të ndryshëm, por merren vesh mirë. Siç janë marrë dhe për arredimin e shtëpisë. Duket si një sipërmarrje gjigante dhe nuk ka qenë e vogël, megjithatë, siç thotë Orinda, ti shpenzon tri herë më shumë po të marrësh një arkitekt, ndërsa vetë mund t'i japësh fytyrën që do shtëpisë si dhe gjerësinë e ëndërruar, divanit!

Në mbyllje, për bebat, vazhdojnë të njëjtat ide. Është në dorë të Zotit, por ata kanë dëshirë të kenë sa më shumë.