Është larguar, por ka lënë zemrën te Kombëtarja shqiptare. Ish-tekniku i Kombëtares ka treguar, në prag të ndeshjes së parë zyrtare që nga largimi i tij, që nuk ndahet dot nga djemtë që drejtoi për një periudhë mbi pesëvjeçare.

De Biasi i ka vizituar ata në fushën e stërvitjes gjatë ditës së djeshme dhe ka uruar publikisht grupin dhe trajnerin e ri, Christian Panucci për përballjen e radhës me Lihtneshtejnin.

Sot, në orën 18.00 në stadiumin e Elbasanit luhet ndeshja zyrtare Shqipëri-Lihtenshtejn, që përbën një sfidë të rëndësishme për Shqipërinë dhe ndeshjen e parë për Panucci-n në drejtim të skuadrës. Panucci zëvendësoi De Biasi-n e larguar vetëm pak muaj më parë për të vazhduar ndeshjet kualifikuese për në Botërorin e Rusisë.

"Edhe pse nuk jam më trajneri juaj do jem gjithmonë me ju. Paç fat Shqiperi! Fat të mbarë Christian Panucci", shkruan Gianni de Biasi në postimin me fotot nga fusha e stërvitjes.

Për vite me radhë, veç këshillave taktike, ai njihej edhe për motivimin që u bënte djemve para ndeshjes. Me sa duket edhe këtë herë, edhe pse De Biasi është larguar, ata e kanë pasur.