Izmir Smajlaj paralajmëron se në të ardhmen mund të garojë për një shtet tjetër edhe pse nuk do donte që kjo të ndodhte. Kampioni i Europës dhe Ballkanit në disiplinën Kërcim për së Gjati, ka vendosur rekord kombëtar me kërcimin 8.08 metra. Megjithatë në një intervistë për Konica.al, Smajlaj ka thënë që kushtet e vështira dhe mungesa e mbështetjes e bëjnë të pamundur stërvitjen sipas standardeve të një pretendenti për medalje. “Që të gjithë të duan kur shpallesh kampion Evrope, duan të jenë pjesë e suksesit tënd, por nga ana tjetër që të arrish këtë duhen shumë gjëra. Stërvitje, gjak, djersë dhe lekë. Të ofrojnë mbështetje, të thonë fjalën e mirë por nuk japin kokërr leku. Në këto kushte është shumë e vështirë të vazhdosh përpara për objektiva madhorë”, shprehet ai në intervistën për ‘konica.al”.

Pas marrjes së titullit kampion Evrope, Smajlaj është shpërblyer me 4 milionë lekë të reja dhe është dekoruar “Mjeshtër i madh” i sportit nga Presidenti i Republikës, megjithatë sportistët kanë nevojë për mbështetje konstante, të cilat në Shqipëri mungojnë.

Lidhur me ndonjë ofertë nga ndonjë shtet tjetër, Izmir Smajlaj ka treguar që ato nuk kanë munguar. "Kam pasur disa oferta nga shtete të ndryshme, sidomos nga Kroacia, të cilët po tregohen goxha këmbëngulës. Por ende s’kam vendosur. Ende kam besim se ka njerëz që e duan sportin dhe do më plotësojnë kushtet që duhen për të arritur objektivat që kam. Do pres dhe disa kohë, nëse nuk më realizohen ato gjëra që kam kërkuar, do jem i detyruar të largohem. Nuk mund të rrezikoj objektivat dhe karrierën time, kam investuar shumë për këto gjëra. Kjo është hera e parë që unë shprehem publikisht për këtë gjë, pasi po shoh një indiferencë të madhe. Shpresoj që të mos arrij në pikën që të largohem, por t’i sjell këtij vendi medalje botërore dhe olimpike”, ka thënë sportisti shkodran, i cili vazhdon të stërvitet për medalje në garat e ardhshme ndërkombëtare.

Përgjatë 2012-16 ai ka fituar medalje të ndryshme si Argjendi në 2012 në Bukuresht, Argjendi në Lojërat e Mesdheut në Azerbajxhan dhe ari në shumë turne të ndryshëm. Ai ishte pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, por në muajin mars arriti për herë të parë të sillte një medalje të artë evropiane në kërcim së gjati në Shqipëri, vendin që thyhen ëndrra.