Të gjithë njerëzit në botë e përjetojnë me dhimbje largimin nga jeta të një personi të shtrenjtë në jetën e tyre. Disa zgjedhin të mbyllen në vetvete, ndërsa disa të tjerë kërkojnë ndihmën e një personi tjetër. Edhe Princ Harry, i ka përjetuar të dyja ndjesitë, edhe atë të mbyllurit në vetvete, edhe atë ndjesinë lehtësuese kur dikush të ndihmon. Princi pas ndarjes nga jeta të nënës së tij princeshë Dianës, ka kërkuar ndihmën e një psikoterapisti.

Gjatë një interviste për britaniken Telegraph ai shprehet se në atë kohë u mbyll në vetvete. “Fusja kokën nën rërë, refuzoja të mendoja për të, por kjo nuk më ndihmonte. Ndihesha edhe më i trishtuar,-shprehet Harry i cili në atë kohë ishte vetëm 12 vjeç.

Më pas ai pëson një ‘kaos total’ të emocioneve kur ishte rreth 20 vjeç duke kujtuar edhe veten teksa vishej me rroba naziste apo publikonte foto intime nga festat në Las Vegas. Harry sot 32 vjeç rrëfen se në atë kohë nuk e dinte se çfarë ishte e gabuar dhe çfarë jo.

“Humbja e nënës në moshën 12-vjeçare ndikoi shumë tek unë kur isha në të njëzetat, largimi i saj ndikoi jo vetëm në jetën time personale por edhe në punë”,-thotë Harry.

Për një periudhë dy vjeçare nën këshillimin e vëllait ai vendosi të konsultohet me një psikolog.

Harry, i cili është në një lidhje me aktoren Meghan Markle, thotë se sot është mirë.

“Për shkak të progresit që kam bërë në vitet e fundit, tani jam në gjendje ta marr punën time me seriozitet, jam në gjendje të marrë jetën time private seriozisht dhe të vë gjakun, djersën dhe lotët, në gjërat që me të vërtetë bëjnë ndryshime”,-rrëfen princi.