Ndërsa temperaturat kanë arritur në zero në Tiranë dhe bora ka mbuluar 1/3 e Shqipërisë, Armina Mevlani po shijon temperaturat e nxehta të Meksikës. Modelja e njohur aktualisht ndodhet në Playadel Carmen të Mexico-s, ku veç të tjerave po shijon edhe plazhet ekzotike të këtij qyteti. Por, qëllimi i vërtetë i këtij udhëtimi nuk është vetëm argëtimi.

Në një rrëfim nga Meksika për “Bluetooth”, Armina shpjegon se drejt kontinentit të largët ka shkuar për çështje pune. “Kam ardhur në Meksikë për punë dhe gjatë këtyre ditëve do të realizoj disa takime pune”, thotë blogerja e njohur. Ndonëse nguron të tregojë nëse është e shoqëruar nga partneri i saj Shkëlzen Berisha në këtë udhëtim, apo është nisur e vetme, ajo që modelja rrëfen me siguri është fakti që qëndrimin e saj në Meksikë ia kanë sponsorizuar.

“Qëndrimin këtu ma ka mundësuar hoteli, të cilin më pas e kam publikuar edhe në rrjetet sociale”, pohon blogerja, teksa ka zbuluar në Instagram se ndodhet në një nga resortet më luksoze të Meksikës. E në fakt, kjo nuk është hera e parë që Armina Mevlani udhëton në vende të ndryshe pa paguar asnjë qindarkë. Edhe më herët ajo ka treguar se hotele dhe resorte të ndryshme i kanë ofruar qëndrimin falas dhe gjithçka tjetër, madje edhe dhurata, për shkak të suksesit të saj në Instagram. Armina ka shpjeguar se në të vërtetë kjo është puna që bën një blogere, promovon hotele, club-e dhe vende të ndryshme, të cilat rrjedhimisht i ofrojnë shërbimet e tyre falas.

Në bisedën e saj për “Bluetooth”, Armina ka zbuluar edhe se si e ka kaluar natën e ndërrimit të viteve. Ndonëse të gjithë janë kuriozë të mësojnë se si ishin festimet në familjen e ish-kryeministrit Berisha, Armina tregon se natën e ndërrimit të viteve, së bashku me partnerin e saj Shkëlzenin nuk e kanë kaluar në familje.

“Kemi festuar me shoqërinë e ngushtë, por nuk kam dëshirë të jap shumë detaje, sepse kështu kemi rënë dakord edhe me njerëzit që kanë qenë me ne. Ishim të ftuarit e tyre”, ka thënë ajo. Ndërkohë, Krishtlindjen çifti i ri e ka kaluar me dy personazhe të njohur shqiptare. Armina dhe Shkëlzeni kanë qenë të ftuarit e zëdhënëses së ish-Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli dhe bashkëshortit të saj, deputetit Keltis Kruja.

Çastet nga atmosfera e ngrohtë në shtëpinë e tyre i ka zbuluar Erla, e cila ka publikuar në rrjetet sociale një foto, ku shihet teksa Armina luan me djalin e saj të vogël. Kujtojmë që Shkëlzen Berisha është edhe kumbari i vogëlushit të çiftit Kruja-Mëhilli.