Të rritesh duke besuar se, po të sillesh mirë gjatë gjithë vitit, në fund të tij Babagjyshi do të të sjellë më shumë dhurata, është një ndjesi që shumica prej nesh e njeh mjaft mirë. Edhe kur Babagjyshi ishte një pjesëtar i familjes apo i fisit. Duheshin sajuar disa dhurata, çfarëdo qofshin, që të kënaqnin të gjithë fëmijët e lagjes. Babagjyshi ngarkonte në shpinë thesin e improvizuar dhe u shpërndante dhurata të gjithë fëmijëve. Më vonë, lindi edhe Babagjyshi i ri, më i vogli i fisit, ai që vishte kostumin e Babadimrit dhe që premtonte se viti tjetër do të ishte më i mirë e me më shumë dhurata.
Dhjetori dhe atmosfera që përcjell ai t’i bën më të gjalla kujtimet e fëmijërisë dhe festat e fundvitit. Kushdo e pranon që kur je fëmijë, i shijon më shumë festat, ditëlindjet, Vitin e Ri. E njëjta atmosferë ka filluar prej dy vjetësh në familjen e Bora Zemanit dhe Vin Velit, që kur erdhi në jetë Arbori. Në dhjetor ai ka ditëlindjen dhe për mami Borën, edhe pse dhjetori ka qenë gjithmonë muaji i preferuar dhe më i bukur i vitit, pas lindjes së Arborit u bë edhe më shumë: “Dhjetori ka qenë gjithmonë muaji im i preferuar, prej festave, prej zbukurimeve. Më pëlqen e gjithë atmosfera. Unë vetë kam lindur në janar, por mbaj mend që gjithmonë i thosha mamit “Pse më linde në janar?”, doja të lindja në dhjetor. Dhjetori është plot energji, ndërsa në janar njerëzit janë më të lodhur, më të plogësht.... “ – tregon Bora duke kujtuar se inatit që ditëlindja e saj nuk përkonte me muajin më të bukur të vitit, i shtohej edhe inati që kur ishte fëmijë merrte gjithmonë një dhuratë, edhe për Vitin e Ri, edhe për ditëlindje.

Në fëmijëri, ashtu si pjesa më e madhe e fëmijëve, Bora kujton se Viti i Ri festohej gjithmonë në shtëpinë e tezes së saj. Babagjyshi ishte gjithmonë djali i tezes, Besi, i cili maskohej me të gjitha format e mundshme që askush të mos e njihte, përveç Borës. Jo vetëm sepse ajo e ndihmonte të fshihej pas kostumit tradicional të festës, por edhe sepse ajo e dinte që nuk ishte i vërtetë. Ishte e vetmja që e dinte. Nuk e kujton nëse ka besuar ose jo ndonjëherë te Babagjyshi, por kujton kohën kur ishte e ndërgjegjshme se ai nuk ekzistonte: “Unë vetë nuk e kam besuar kurrë Babagjyshin. Edhe kur e bënin djalin  e tezes si Babagjysh, unë  e ndihmoja dhe ndihesha shumë mirë, sepse më dukej sikur vetëm unë e dija që ai nuk ishte i vërteti. Ndërsa ata të tjerët që ishin më të vegjël, i gënjenim. Nuk e kam kuptuar kurrë a e kam besuar apo nuk e kam besuar, por e di që kur e kam menduar, e dija që nuk ishte e vërtetë....”
Edhe pse për të rriturit rituali i festës së Vitit të Ri është i njëjtë dhe një pjese të mirë prej nesh nuk i bën përshtypje, kur je fëmijë është ndryshe, edhe ndjesitë e festave nuk i ke njëlloj: “Shumë vite më parë, kur ishin fëmijë, festat na bënin përshtypje më shumë dhe gëzonin nga Babagjyshi dhe nga dhuratat. Ndërsa tani që dhurata kemi çdo ditë, ushqim të mirë hamë çdo ditë, nuk na duket asgjë ndryshe. Por i gëzohemi atmosferës, fishekzjarrëve. Mua më shumë më pëlqen i gjithë dhjetori se sa vetëm Viti i Ri...”

Festat me Arborin...         

Në 4 vjet bashkë, Bora dhe Vini nuk e kanë pasur të thjeshtë ta menaxhojnë kohën mes punës dhe familjes. Natyrisht, me ndihmën e gjyshërve, edhe Arbori ka qenë në duar të sigurta kur mamit dhe babit i është dashur të jenë në punë. Vini, i zënë me pjesën e natës nëpër club-e, ku luan si DJ, ndërsa Bora vijon programet sportive në Digitalb. Me punën e vështirë që kanë të dy, u duhet të bëjnë edhe sakrifica, qofshin edhe raste festash si këto të fundvitit. Pak vite më parë, Bora i kalonte netët e Vitit të Ri në club-e, bashkë me Vinin. Kudo ku luante Vini, ishte edhe Bora, por tani që në jetë ka ardhur Arbori, për asnjë arsye në botë nuk do të donte që 1 janari të vijë dhe ajo të mos jetë aty për ta uruar të parin: “Këtë vit kishim vendosur që edhe Vini ta bënte pushim që të ishim patjetër të tre dhe pastaj edhe me familjet tona. Por nuk u bë, sepse Vinit i doli sërish punë, ndaj nuk jemi dot bashkë. Këtë vit nuk është as në Tiranë, kështu që nuk do jetë dot as për darkë. Po të ishim në situata të tjera, sigurisht që edhe unë do kisha ikur me Vinin, do e kisha shoqëruar, por me djalin, më duket e tmerrshme të hyjë data 1 janar pa të.”  

Arbori sapo ka mbushur 2 vjeç, por ka filluar t’i kuptojë festat, madje edhe ditëlindjet. Sapo sheh pemën dhe ngjyrat, vërsulet drejt saj dhe i tregon me gisht së ëmës çdo detaj. Me fjalët gjysma-gjysma që Bora ia përkthen një për një, vogëlushi tregon topat e kuq, lodrat dhe të gjitha zbukurimet e tjera të pemës. Me gjithë kërkesat dhe lutjet e së ëmës dhe të atit për t’u përqendruar drejt aparatit, Arbori nuk i reziston dot tundimit të ngjyrave dhe dritave. Ka filluar të kuptojë se kur ka festa, e gjithë vëmendja është e përqendruar tek ai: “Vitin e parë ka qenë vetëm dy javësh, megjithatë një kapuç të Vitit të Ri ia vumë. Vjet e veshëm tamam me rrobat e Babagjyshit, edhe pse i rrinin  pak të mëdha. Ndërsa këtë vit shpresoj ta ndiejë tamam festën dhe të kënaqet.”
Edhe pse Bora vetë nuk ka besuar kurrë te Babagjyshi, për vogëlushin do të donte të kundërtën deri në një moshë të caktuar: “Të besojë dhe mezi ta presë këtë periudhë, pse jo? Është më e bukur, sidomos kur je fëmijë.” Për më tepër, vogëlushit i pëlqen shumë edhe pema, aksesorët dhe dritat e saj: “Arbori e ka shumë qejf pemën. Këtë vit e ka kuptuar edhe më shumë, madje ka marrë pjesë në bërjen e pemës te shtëpia e nënës, ka vënë edhe ai zbukurimet e veta. Edhe vjet që ishte një vjeç, doja që edhe ai të merrte pjesë në bërjen e pemës. Me ndihmën time, vuri edhe ai një top dhe të gjithë e dinim cili ishte topi i Arborit, kurse këtë vit ka vënë edhe vetë shumë më shumë. Është ogur i mirë...”

Ndërsa Babagjyshin nuk e di akoma mirë, por di që është dikush që sjell dhurata: “Nuk e di tamam çfarë është dhe kush është, thjeshtë ka mësuar që është Babagjyshi, Babadini (kështu i thërret Vinit kur bëhet si Babagjysh), që sjell dhurata. Është mësuar duke e parë edhe nga reklamat dhe faqosjet që na vijnë zakonisht në shtëpi...  Por këtë vit kam përshtypjen që do e kuptojë, sepse këtë vit, në fakt, kuptoi edhe ditëlindjen. Jo tamam, por i pëlqente ajo vëmendja që i kushtohej atij. Ne ia festuam edhe te çerdhja ku është dhe vinte re të gjithë fëmijët e mbledhur rrotull tij, i këndonin, kërcenin me të, e gjithë familja bashkë. Mësoi edhe të fryjë qirinjtë, e fryu vetë këtë në tre-katër tortat që iu bënë për ditëlindje....”

Para dhuratave dhe tryezës festive të gjithë jemi fëmijë

Ama është një pjesë e festës që nuk e largon dot fëmijën brenda nesh – dhuratat. Është një ndjesi e mirë kur jep, aq sa shumë më e mirë kur merr. Në shtëpinë e Borës dhe Vinit nuk ndiqet ndonjë traditë dhuratash, sepse mund të shkëmbejnë gjatë gjithë vitit, pavarësisht nëse është ose jo festë. Vini, si pjesa më e madhe e meshkujve, nuk është kaq i kujdesshëm për t’u kujtuar që duhet të bëjë dhurata në çdo festë, por bën gjatë gjithë vitit. Dhe Bora është mësuar me këtë, ndaj gjithmonë ia kërkon dhuratat, sepse e di se çfarë i duhet dhe kur i duhet: “Unë bëj dhurata zakonisht, por më pëlqen shumë edhe kur marr, nuk u them jo. Zakonisht për festa, Vini të paktën nuk më bën kurrë dhurata. Mund të bëjë dhurata gjithë vitin, vetëm për festa jo. Nuk i shkon fare në mendje të më bëjë dhurata për festa. Përgjithësisht jam unë që ia kërkoj dhuratat, sepse mendoj se meshkujt nuk e vrasin shumë mendjen çfarë pëlqen femra apo çfarë i hyn vërtet në punë. Edhe ne jemi të kënaqura kur ua kërkojmë atë që dua. Dhurata që dua për këtë vit p.sh. është një varëse me emrin Arbor të shkruar. Ia kam kërkuar edhe këtë....”
Për Vinin dhuratat janë pak të fokusuara tek puna e tij. Më të zakonshmet janë kufjet apo edhe aksesorë të tjerë që lidhen me profesionin dhe studion. Ndonëse për meshkujt ka më pak mundësi, për Vinin, çdo dhuratë që i përshtatet me punën do ishte ideale.
Ndërsa dhuratat e Arborit – një parkim i madh makinash në shtëpi: “Arbori një herë në tri-katër ditë i blihet një makinë e re. Nga ne, nga gjyshërit. Kemi një parkim shumë të madh në shtëpi me makina. Për këtë vit, akoma po mendoj se çfarë mund t’i blejmë. Ndonjëherë mendojmë se nuk është mirë edhe kështu siç e bëjmë ne, por nuk i rezistojmë dot lumturisë që ka Arbori në fytyrë kur i merr një lodër të re...” Por ka edhe dhurata të tjera mes dhjetëra makinave. Në moshën që është, ai ka dëshirë edhe të luajë me numrat, me ngjyrat, me shkronjat, ka filluar t’i njohë pak nga pak dhe t’u duken interesante.

Po kaq tunduese është edhe dëshira për të shijuar ushqimet e mira. Gjatë festave, Bora ndihmohet gjithëmonë nga e ëma dhe vjehrra. Të dyja i aknë punët e ndara. E para gjelin dhe përsheshin, ndërsa e dyta antipastat dhe bakllavanë. Ushqimet klasike të Vitit të Ri Bora nuk di t’i bëjë. Gatuan shpesh vetë, por në raste festash, i pëlqen më shumë të hajë: “Para ushqimit nuk e kam kufizuar veten kurrë. Kam pasur një një periudhë që u shëndosha shumë, pas shtatzënisë, se fitova shumë, por më vonë e mora veten” – thotë Bora duke shtuar se pas DWM trupi i erdhi në formë perfekte dhe do t’i vinte keq nëse nuk do ta ruantë këtë peshë: “Do përpiqem ta ruaj, por nuk e di a do ia dal dot, sepse e vetmja gjë që nuk i them dot JO është ushqimi. Gjërave që më pëlqejnë nuk i them dot JO. Po desha ta ha, do ta ha patjetër. Nuk kam mbajtur kurrë dieta. Edhe sikur të dua, nuk e mbaj dot.”

2017-a, në shtëpinë tonë të re

Meqenëse këtë fundvit, Vini nuk do të jetë, Bora dhe Arbori do ta kalojnë festën në shtëpinë e prindërve të saj dhe të nesërmen të gjithë bashkë në shtëpinë e prindërve të Vinit: “Që kur ka lindur Arbori, të dyja familjet tona duan që Vitin e Ri ta kalojnë me Arborin. Ai është ogur i mirë, sepse është i vetmi nip nga të dyja anët. Të gjithë duan të hyjë data 1 janar me Arborin.”
Por vitin tjetër, të tre bashkë do të jetojnë në një shtëpi të re. Këtë vit, ajo është krejtësisht jashtë atmosferës festive, jashtë dritave dhe ngjyrave, sepse vijon akoma punimet, por shumë shpejt edhe atje do të jetë një atmosferë festive. Bora tregon se shtëpia e re është me shumë ngjyra dhe dritë. Edhe dhoma e Arborit, me atë blunë tipike të çunave, dhe me vizatimet tij të preferuara, Teletabis-at, meqë i ka shumë qejf...

Bashkë me shtëpinë dhe me shpenzimet e saj, është e kotë që në fund të bësh bilance. Kuptohen shifrat. Por edhe sikur të mos ishte shtëpia, Bora nuk është natyrë që çdo fundvit bën bilance: “Bilance nuk bëj fare. Dy-tre gjëra edhe i mendoj, por nuk bëj llogari. Nëse do të bëja një bilanc financiar, do të dilte keq, meqenëse këtë vit kemi shpenzuar shumë.”
Por nuk mund të lërë pa përmendur eksperiencën e fundit në DWM, pas së cilës ka fituar edhe më shumë fansa dhe më shumë vëmendje: “DWM ishte eksperiencë shumë e bukur. Mësova të kërcej. E kemi shijuar shumë të gjithë. Ka kaluar vetëm pak kohë që kur ka mbaruar, por e ndjej se do më mungojë. Më vjen keq që është një eksperiencë që ndodh vetëm një herë në jetë.”
As për 2017-ën nuk ka plane. Por di që projekte të reja e presin në punë dhe disa prej tyre mezi po i pret: “Kemi disa projekte të reja, të cilat do të konkretizohen shumë shpejt. “Fan Zone” mbetet një pjesë shumë e rëndësishme për mua, sepse përveç që është emision sportiv, ka lidhje drejtpërdrejt me fansat. Do të vazhdojë në sezonet sportive, por edhe në ndeshjet e Kombëtares.” Po kështu edhe Vini me projektet e reja në studio dhe bashkëpunime me emra të njohur jo vetëm të muzikës shqiptare, por edhe ndërkombëtare.
Në shtëpinë e re, mes shumë gjërave të reja, e re do të jetë edhe jeta e Borës, Vinit dhe Arborit. Për festa dhe për të gjitha gëzimet familjare familjet do të mblidhen atje, pranë të voglit. Mes lodrave, makinave dhe të gjitha dhuratave, aty do të krijohet streha e ngrohtë e fëmijërisë së Arborit, të cilën edhe ai, një ditë, ashtu si e ëma, do ta kujtojë me shumë nostalgji. Festat janë më të bukura kur je fëmijë. Dhe po aq të bukura kur i shijon me fëmijët.

Foto: Orsola Mema, Class Photography

Hair & Make Up: Erjona & Monaliza Class Make Up