Të gjithë ne kemi një lutje, sapo nis fundjava...a mund të zgjasë më shumë e diela, në mënyrë që fillimi i javës të na duket sa më larg! E dimë që kjo është e pamundur të ndodh, ndaj pse të mos gjejmë motivimet e duhura për t'a nisur mbarë të hënën. Njësoj siç bëjnë njerëzit më të suksesshëm të botës, nga Bill Gates, tek Oprah Winfrey, etj.

Sipas studimeve të njohura, pasditja e të dielës për shumicën e njerëzve përkthehet në një lloj dëshpërimi. Sepse ndihet që në ajër që puna po vjen. E hëna është në prag. Fundjava e ardhshme do edhe shumë ditë që të vijë, ndaj presioni i fillimit të javës bën të vetën.

Por, për njerëzit e suksesshëm, që janë shpesh modelet ideale për t'u ndjekur nga shumëkush, ka një lloj disipline dhe regjimi që i bën ata ta konsiderojnë të hënën, krej normale dhe thjesht një ditë tjetër të zakonshme në kalendar.  Andaj, që fillimi i javës të mos jetë makthi juaj, ne të Class iu tregojmë se çfarë duhet të bëni për një të hënë ideale që i paraprin një jave krejt normale. Ndiqni udhëzimet tona dhe do të na besoni!

Zgjohuni herët në mëngjes. Njerëzit e suksesshëm nuk flenë vonë në mbrëmjen e të dielës, por shkojnë gjithmonë një orë më përpara në shtrat, për një gjumë sa më të rehatshëm dhe çlodhës. Kështu, munden që të zgjohen pa snooze pa fund dhe alarme të zgjatura në celular.

Bëni ushtrime. Të zgjuarit herët, ju jep avantazhin që të fokusoheni në objektivat parësor tuajat. Vënia e trupit në lëvizje, ushtrimet fizike në shtëpi, apo në palestër, ju ndihojnë që t'i jepni ditës dhe javës ritmin e dëshiruar.

Hani një mëngjes të shëndetshëm. Si fillim jave, ju mund të keni kontrroll në gjërat më të rëndësishme që prekin jetën tuaj. Mëngjesi është një prej tyre. Konsumimi i një mëngjesi të bollshëm, e të shëndetshëm, ju mbush me energjinë që i paraprin një dite dhe jave të ngjeshur me takime.

Shkoni në punë herët. Duke mbërritur në punë pak më parë se orari zyrtar, ju mund të vini në dispozicion të punës dhe vetes më shumë kohë. Kësisoj, ju mund të mbaroni më herët punë, pasi i keni përmbushur gjithë objektivat e ditës, dhe pasditen mund t'ja dedikoni vetes dhe familjes suaj.

Pastroni skrivaninë e punës. Rrëmuja e mundshme që mund të gjeni mbi tryezën e punës ditën e hënë, thjesht ju krijon idenë e një "zhurme" të panevojshme për një fillim jave të mbarë. Sistemoni gjërat. Hidhini ato të panevojshmet. Pastroni gjithçka rrotull dhe do të merrni frymë lirshëm.

Skanoni emailet urgjente. Është praktikë e liderve të suksesshëm. Vendosja e prioriteteve. Emailet dhe takimet më të rëndësishme bëjini në fillim të javës, ndërsa të tjerat le të presin.

Mësoni të thoni "JO"! Dita e hënë, vlen për gjëra pozitive, por edhe për ato negative. Një prej tyre, të dini të thoni Jo. Njerëzit e suksesshëm e bëjnë shpesh këtë. Për vendime apo sipërmarrje që nuk i bindin, ata thonë pa asnjë mëdyshje jo,dhe sidomos në ditën e parë të javës.