Disa njerëz janë të përfshirë gjatë gjithë kohës nga stresi, ndërsa të tjerë duket sikur nuk kanë asnjë lloj raporti me këtë gjendje të rënduar mendore, çfarëdo që t’u ndodhë. Megjithëse disa e kanë në natyrë të përballojnë gjithçka u del përpara, kanë disa “hile” të cilat i ndjekin dhe nuk e lënë stresin t’i pushtojë, madje kanë edhe një jetë të shëndetshme falë kësaj.

Nëse je nga ta që duan të dinë si t’i menaxhojnë situatat stresuese, ka disa këshilla më poshtë. Ja çfarë bëjnë njerëzit që nuk e njohin fare stresin.

Bëjnë pushime

Kur e kuptojnë se po jetojnë situata të ngarkuara, ata largohen nga zyra, nga tryeza e punës apo nga çdo lloj situate që ua ndryshon gjendjen, për të bërë pushim. Ata e dinë mirë se mbingarkesa në këtë moment do t’i pengojë të jenë produktivë, kështu që bëjnë një pauzë të ngutshme dhe të domosdoshme, e cila ka rezultate afatgjata.

Nuk merren me gjëra të vogla

Kjo kategori njerëzish, në përgjithësi nuk merret me gjëra të vogla dhe të parëndësishme. Ata e dinë se duke punuar për gjëra që nuk kanë rëndësi, nuk do t'u bëjë mirë dhe në vend të kësaj, e përqendrojnë vëmendjen në gjërat e rëndësishme.

Kujdesen për veten

Ajo çka dinë më mirë njerëzit që nuk e njohin stresin, është që shëndeti i tyre fizik dhe mendor është primar, ndaj edhe e gjejnë gjithmonë kohën për t’u marrë me veten. Kjo do të thotë që gjejnë kohën për t'u çlodhur, qetësuar, por edhe të thonë "jo" atëherë kur është e nevojshme. Ata nuk njohin limite për të qenë egoistë kur është fjala për të mirën e tyre.

Janë të organizuar

Kanë oraret e tyre dhe janë shumë të përgjegjshëm për të ecur sipas tyre. Dinë se si ta kenë nën kontroll kaosin dhe të përdorin mjete për të planifikuar jetën e tyre.

Kanë stres të shëndetshëm

Ky është zakoni më i rëndësishëm i të gjithëve. Njerëzit që menaxhojnë në mënyrë të shkëlqyer nivelet e tyre të stresit nuk kanë asnjëherë nevojë për ndonjë ndihmë për të kaluar situata të lodhshme. Aktiviteti fizik është një mënyrë e mirë që ua largon atyre stresin e ditës, por edhe një metodë konstruktive që i ndihmon të rivendosin dhe të mbajnë mendjen të shëndetshme.