Mbrëmja e së dielës është një nga netët më stresuese të njerëzve, sipas një sondazhi të vitit 2013 nga Monster.com, sipas të cilit rreth 78 % e njerëzve e përjetonin mbrëmjen e së dielës si më të tmerrshme nga të gjitha ditët. Kjo, sepse u kujton atyre javën e re dhe të ngarkuar që i pret të nesërmen. Por mbrëmja e së dielës të ndihmon për të parashikuar një javë të mbarë dhe të qetë, nëse mësohesh që ta organizosh siç duhet. Zakonisht, njerëzit e suksesshëm e kanë mbrëmjen e së dielës një nga momentet e tyre më të mira, sepse përgatiten që të hyjnë në javën e re me këmbën e djathtë. Ja çfarë bëjnë ata.

Shpenzojnë kohë me familjen dhe miqtë. Sepse e dinë që java do të jetë e gjatë dhe më e mbarë, nëse kalojnë më shumë kohë me të dashurit e tyre.

Planifikojnë diçka argëtuese. E hëna vjen shumë shpejt dhe për ta pritur mirë, njerëzit e suksesshëm e konsiderojnë diçka shumë të rëndësishme që mbrëmjen e së dielës të fokusohen në gjërat argëtuese me familjarët.

Organizojnë planin e javës. Disa njerëz të suksesshëm kanë dëshirë të shohin kalendarin dhe të vendosin objektivat e javës qysh në mbrëmjen e së dielës.

Bëjnë ushtrime. Çfarëdo, shëtisin, luajnë lojëra të ndryshme, tenis, ose shkojnë në palestër.

Hanë shëndetshëm. Këtë e bëjnë gjithmonë, por sidomos mbrëmjet e së dielës kalojnë kohë për të ngrënë ushqimin e tyre të preferuar. Alkooli nuk zë vend tek ata këtë mbrëmje, sepse e hëna nuk duhet të nisë me dhimbje koke. Një vakt i shëndetshëm dhe çaj bimor me limon është ideal.

Lexojnë. Shumë njerëz të suksesshëm e kanë rutinë të lexuarin, kështu që edhe e diela në mbrëmje nuk bën përjashtim nga kjo.

Ndjekin të gjitha angazhimet. Ndërsa kanë bërë premtime për t’i realizuar javën e kaluar, ata gjithmonë e gjejnë mundësinë për t’i realizuar. Kështu, këtë mbrëmje ata angazhohen për gjëra të reja që duhet t’i arrijnë gjatë javës.

Pushojnë. Ndërsa e dinë se java do të jetë super e ngarkuar, kjo mbrëmje ka nevojë për më shumë relaks dhe njerëzit e suksesshëm e dinë mjaft mirë këtë. Qetësi për trupin dhe mendjen.

Reflektojnë. Darka mund të jetë një moment mjaft i mirë për të kthjelluar ndjenjat, sidomos nëse mbrëmja e së dielës është ajo periudhë stresuese që kalojnë të gjithë. Një mënyrë e mirë është edhe për t’i shkruar ndjesitë dhe perspektivat e javës. Kjo bën mirë për t’u qetësuar.

Kontribuojnë si vullnetarë. Një mënyrë tjetër mjaft e mirë, sipas specialistëve, është edhe të japësh kontributin si vullnetar aty ku dikush ka nevojë. Asgjë më shumë se kjo nuk do të ta heqë stresin para një jave të gjatë e të mbushur. Është një moment për të qenë më human dhe për ta ndier veten me të lehtë.

E mbyllin të dielën me një shënim: E hëna do të vijë, pavarësisht mënyrës se si ndihesh, kështu që përpiqu të mbledhësh sa më shumë energji pozitive dhe të reflektosh mbi përvojat pozitive të fundjavës.