Një punë e mirë dhe me të ardhura të mjaftueshme është objektiv për këdo, por sidomos në fillim të vitit, të gjithë fillojmë të mendojmë pak më shumë për punën tonë.

Ka disa profesione që janë më shumë të kërkuara se të tjerat dhe me to mund të përfitoni paga të kënaqshme në 2018-ën. EPPC Albania & Kosovo, një agjenci rekrutimi dhe trajnimi, ka deklaruar për Monitor se në vitin 2018, pritet të ketë një kërkesë më të madhe për pozicionet drejtuese, (Nivelet CEO-1 & CEO-2), por edhe për ato pozicione që gjenerojnë shitje dhe biznes, për profilet më poshtë:

Shitje/Marketing;
Financë/Kontabilitet;
Specialistë informatike;
Inxhinier ndërtimi, mekanik, elektrik, informatikë;
Njohës të gjuhës gjermane/angleze dhe franceze.

Pagat në kategorinë e drejtuesve variojnë nga 150,000 – 400,000 lekë neto.

Viti 2017 kristalizoi më tej ndarjet e pozicioneve të punës në tri kategori kryesore.

Kategoria e parë, janë pozicionet drejtuese;
Drejtues Shitjesh;
Drejtues Finance;
Drejtues Operacionesh (në industritë e shërbimeve);
Drejtues Prodhimi (me profil tekniko-industrialë);
Drejtues Burimesh Njerëzore;
Drejtues Informatike;
Drejtues Marketingu.

Kategoria e dytë, përbëhet nga specialistë të kualifikuar, si në

Financë-Kontabilitet/Administrim;
Shitës B2B (Senior) me profil teknik si informatikë, elektrik, mekanike, profile që ndihmojnë në shitjen e produkteve që lidhen me këto profile,
Specialist Marketingu; si edhe Inxhinier Ndërtimi, Mekanik dhe Elektrik, etj.

Kategoria e tretë, janë punonjësit e pakualifikuar, ose vendet e punës ku kërkohet pak kualifikim. Këto pozicione vazhdojnë të mos kenë ndryshim dhe punësimi i tyre bëhet kryesisht bazuar në kriterin e të qenit hallexhinj, ose nëpërmjet rrjetit shoqëror dhe familjar. Njëkohësisht, kjo kategori nuk shihet si “punësim i dyanshëm”, paguhet pak, paga që ofrohet është e panegociueshme dhe nuk shoqërohet me rritje të herëpashershme (vjetore) dhe kryesisht nuk vlerësohen mjaftueshëm në çdo aspekt.

Profesionet që paguhen më shumë

Sipas EPPC, kategoria e parë, ajo e drejtuesve është kategoria që paguhet më shumë, ku gjatë vitit 2017, punëdhënësit janë të gatshëm që për drejtues të mirë (CEO-1/CEO-2), të mos kursehen, por të paguajnë rreth 20-30% më shumë për të patur në skuadër drejtues profesionistë, me përvojë dhe me vlera shoqërore aq të domosdoshme në kohët që jetojmë. Pagat në këtë kategori variojnë nga 150,000 – 400,000 Leke Neto.

Industritë që paguajnë më mirë janë:

Sektori Bankar/Financiar;
Mineralet, Nafta & Gazi;
Informatika (Zhvilluesit);
Farmaceutika/Kujdesi shëndetësor;
Shitja me Pakicë;
Distribucioni.

Kategoria e dytë, e specialistëve ka njohur një rritje prej rreth 10%-20% (duke marrë në konsideratë bazën e ulët) dhe kjo vetëm për ato pozicione që kërkojnë aftësi të veçanta, si p.sh. financierë që njohin programe të caktuara, inxhinierë që kanë eksperiencë në projekte të veçanta, shitës ekzekutivë që njohin industrinë ku do të shesin, etj.

Kategoria e tretë ka mbetur e pandryshuar, me paga në nivele të njëjta me më parë në harkun 30.000-40,000 lekë neto.