Përmasat janë ato të Statujës së Lirisë, shënojnë mediat amerikane për asteroidin që do të kalojë sonte shumë pranë Tokës në një distancë prej rreth 120 mijë kilometrash - thuajse sa gjysma e distancës deri në Hënë.

Asteroidi i quajtur 2010 WC9, 130 metra i gjatë, më i madh sesa një fushë futbolli, do të 'kërcënojë' sonte Tokën, por nuk është i dukshëm me sy të lirë, mund të vërehet vetëm me teleskop.

Ky do të jetë objekti më i afërt që i kalon planetit tonë për 300 vitet e ardhshme. Trupi shkëmbor që u zbulua në vitin 2010 dhe u gjurmua derisa humbi në hapësirë në një distancë shumë të largët, është më i madh edhe se meteori Chelyabinsk.

Ky i fundit shkatërroi dritaret e shtëpive në disa qytete ruse kur hyri në atmosferën e Tokës, në vitin 2013. Megjithatë, shkencëtarët thonë se në këtë rast nuk ka rrezik të ketë ndonjë shqetësim të tillë.