Njëra praktikohet prej 5000 apo 6000 vitesh dhe tjetra ka lindur në shekullin e 20-të, por çasti i tyre është në çdo kohë. Yoga dhe Pilatesi janë dy teknika të ndryshme, me ndikime të ndryshme, por që mund t’i praktikosh të dyja për ta zgjeruar paketën e përfitimeve.

Ndërsa yoga është një filozofi e plotë që prek mendjen, shpirtin dhe trupin, pilatesi është më fizik si praktikë duke u mbështetur kryesisht në zhvillimin e muskujve abdominalë dhe duke ndikuar në përmirësimin e qëndrimit të drejtë të trupit dhe pse ndihmon gjithashtu, marrëdhënien trup-mendje.

Unë e praktikoj prej dhjetë vitesh Yoga-n me instruktoren Nina Ristani. Edhe pse nuk jam nxënësja e saj më e rregullt, di të flas, nga praktika, për përfitimet e jashtëzakonshme të Yoga-s.

Yoga është ideale për tërheqjen e muskujve dhe rrit fleksibilitetin e të gjitha nyjeve të trupit. Ajo punon njëlloj me çdo muskul. Çdo pozicion yoge, shoqërohet me një kundërpozicion për të krijuar balancë në trup. Ekuilibri në të vërtetë është një nga synimet e Yoga-s, trupor, por edhe mendor dhe shpirtëror. Në seancat e Yoga-s ti mëson teknikat e duhura të frymëmarrjes që të ndihmojnë dhe në jetën e përditshme për t’u mbrojtur nga ndikimet e stresit.

Foto: Orsola Mema, Class Photography

 “Po ta shohim shumë gjerë çështjen e përfitimeve, mund të them se ato fillojnë nga embrioni e deri te “plakja e suksesshme”. Praktikimi sistematik i yoga-s shërben për të njohur më mirë vetveten se deri ku arrin vullneti, kurajoja, kënaqësia, forca etj.. Yoga, me teknikat e saj, ndihmon në lehtësimin e stresit, depresionit, përmirëson humorin, fleksibilitetin, qetëson sistemin nervor, ndihmon në funksionimin sa më të mirë të sistemit endokrin i cili është përgjegjës për prodhimin e hormoneve dhe është një çelës, jo vetëm për anën fizike, por edhe për shëndetin mendor”, thotë Nina Ristani, instruktore e Yoga-s prej 14 vitesh.

Forca e këtyre praktikave është që duke tonifikuar muskujt e mëdhenj dhe ata më të imët afër kockave, ti nuk sforcohesh dhe nuk stresohesh. Duhet një kohë më e gjatë për të djegur yndyrnat e tepërta, por mua më duket më e shëndetshme dhe argëtuese.

Yoga tonifikon duke tërhequr muskujt, ndërsa Pilates i cili realizohet me atë topin e këndshëm, është shumë argëtues dhe ndërkohë frocon shtyllën kurrizore, por angazhon dhe muskujt abdominalë, të vitheve dhe të kofshëve.

Një seancë bën njërën, një bën tjetrën. Njëra i çliron muskujt dhe i forcon me stretching. Tjetra u bën atë formimin që kanë qejf gjithë vajzat për të pasur një trup me forma.

Pilatesi ashtu si Yoga ndihmon në gjetjen e kontaktit të trupit me mendjen, duke ndihmuar specifikisht në përqendrim, ndërsa Yoga ka edhe elementin shpirtëror. Ai është i shkëlqyer për forcimin e muskujve qendrorë të trupit dhe rrit fleksibilitetin. Ai përfshin lëvizje dhe teknika specifike frymëmarrjeje, por Yoga tashmë më ka mësuar me programet e strukturuara dhe nuk e kam të vështirë t’iu bindem.

Ajo që kam mësuar nga instruktorja Nina dhe që është shumë e rëndësishme për ta ndarë me ju, është që nuk ka një moshë të caktuar për të nisur Yoga-n. Yoga-n mund ta ushtrojë kushdo brenda mundësive të trupit të tij dhe të ecë me ritmin që ia lejon trupi, por është e sigurt që do të ecë…dhe në fund të çdo rruge do të ndihet më mirë. Yoga dhe Pilatesi, pasi ke marrë bazat, mund të ushtrohen vetë, pa asnjë kosto sepse kërkesat e tyre janë minimale, por sigurisht, për të ndërtuar një program dhe për të përparuar, një instruktor profesionist do ju ndihmonte.

Yoga është 99 për qind praktikë dhe 1 për qind teori. Mos thuaj kurrë “nuk mundem” pa e provuar. Në Yoga të gjithë janë njëlloj, i dallon vetëm praktika.

Disa nga përfitimet e Yoga-s

Lista nuk ka fund dhe mbi të gjitha është shumë komplekse sepse nuk përfshin vetëm fizikun, megjithatë po përmend, edhe një herë, disa nga përfitimet e kësaj praktike mijëravjeçare.

Rrit fleksibilitetin

Forcon dhe tonifikon muskujt

Përmirëson frymëmarrjen, energjinë dhe vitalitetin

Ndihmon për një metabolizëm të balancuar

Të ndihmon për të humbur peshë

Të mbron nga dëmtimet e mundmshme

Të ndihmon të menaxhosh stresin

Disa nga përfitimet e Pilatesit

Edhe Pilatesi ka një mori përfitimesh dhe këto janë vetëm disa prej tyre.

Të ndihmon të kesh një bark të sheshtë, edhe pas shtatzënisë

Rrit fleksibilitetin

Përmirëson mbajtjen e trupit në pozicionin e duhur

Të ndihmon në kontrollin fizik dhe mendor dhe të jep energji edhe pas një dite të lodhshme

Forcon nyjet

Të krijon një trup të hollë dhe të formuar në tërësi

Lehtëson ata me dhimbje shpine