Çdo muaj ka bukurinë e tij, por dhjetori është më i privilegjuari. Që në ditët e tij të para kudo ndizen dritat dhe shpirti ndriçohet e ngrohet papritur sikur një pjesë e tij të kishte pritur gjithë vitin këtë çast. Vitrinat zbukurohen, globat nxirren nga kutitë, mendja nis e mendon për dhurata dhe kushdo, këtë muaj, merr lejen për t’u sjellë si fëmijë. Gjithçka lejohet. Bluzat me motive, veshët e drerëve mbi kokë, ëmbëlsirat…është dhjetor, po vijnë festat.

Ndryshe nga shumë festa të tjera dhe evente, për Krishtlindje nuk duhet shumë për ta krijuar atmosferën, mjaftojnë disa detaje, në varësi të vendit ku do e organizoni drekën e Krishtlindjes, ushqimet e shijshme tradicionale të kësaj dite dhe njerëzit. Janë ata më të rëndësishmit në këtë festë. Ngjyrat ngrohen kur njerëzit ulen rreth tryezës, vera shijon më shumë pas trokitjes së gotave dhe ëmbëlsirat janë më të mira kur të gjithë zgjasin duart drejt tyre.

Unë do të zgjidhja një variant më elegant për drekën e Krishtlindjes për t’i dhënë rëndësi këtij çasti. Ngjyra e kuqe krijon menjëherë atmosferën dhe nuk teprohet asnjëherë me të, por mund të kombinohet me nuanca natyrale gjethesh dhe frutash dimri. Qirinjtë janë të këshillueshëm më shumë sesa kurrë, edhe ata të kuq. Nëse dreka do të ketë të ftuar jashtë familjes, për t’i dhënë edhe më shumë solemnitet tryezës, mund të përdoren pjata më të mëdha të dekoruara poshtë pjatës dhe pecetat të kapen me një kapëse ku mund të përdorni fantazinë tuaj, t'i zbukuroni me rruaza apo degëza lulesh.

Zbukurimet e tryezës duhen vendosur që në fillim në qendër të saj dhe të mos jenë shumë të lartë në mënyrë që mos të pengojnë shikimin. Lulet e Krishtlindjes janë alternativa ideale e zbukurimit, gjenden lehtë dhe kanë efekt. Nuk kemi pse ia bëjmë vetes shumë të vështirë detyrën e zbukurimit të tryezës. Kjo është një festë dhe të gjithë, edhe zonjat e shtëpisë, duhet ta shijojnë pa u sforcuar.

Sigurisht idetë e dekorit janë të pafunda, por baza në këto festa është dashuria, ngrohtësia familjare, një ndjenjë e fortë mirësie dhe vërtetësie. Ndoshta për këtë arsye kjo është periudha më e bukur e vitit dhe këto janë festat më të dashura.