Nuk mund ta ndash vjeshtën, nga ajo atmosfera unike që krijon fillimi i shkollës dhe nuk mund ta detyrosh veten kurrsesi t’i mbash larg kujtimet që vërshojnë nga ajo kohë. Është një ndjesi e lehtë, që bëhet e prekshme kur has në një pako lapsash me ngjyra, në një fletore me kuti apo në një çantë shpine, copëza të një realiteti që pak me dhembje duhet ta pranosh, që nuk të takon më…Ose ndoshta nuk ke pse e pranon! Pasarelat kanë rikthyer në modë çantat e shpinës dhe kushdo mund të kthehet pak pas te ndjesitë e viteve të shkollës, duke qenë njëkohësisht edhe shumë “in”.

Me hapësirën e mjaftueshme për të marrë çfarë të duhet gjatë një dite, shumë të lehta për t’u mbajtur, të kombinueshme me çdo stil veshjeje, ato duket se janë një nga dhuratat më të mira që moda ka bërë për zonjushat dhe zonjat që duan ta kenë jetën e thjeshtë dhe duart e lira, por njëkohësisht të duken të veshura me stil.

Kështu edhe vjeshta shijohet më lehtë dhe ka kaq shumë për të shijuar!