Ka shumë gjëra që ne akoma nuk i dimë për Meghan Markle, që do të martohet me Princin Harry këtë pranverë. Por dimë se çfarë ha çdo mëngjes. Princesha e ardhshme nuk e lë këtë vakt të shëndetshëm asnjëherë, sepse, siç dihet, të mban deri vonë të ngopur, të përqendruar dhe të shëndetshëm. Por mëngjesi i saj është kaq i lehtë sa mund ta bëni në shtëpi ose edhe në zyrë: tërshërë me banane.

Sipas Insider, ky është një nga mëngjeset tipike të modeleve dhe aktoreve, veçanërisht kur janë në xhirime të serialeve. "Në ditët e xhirimeve, Markle lë shtëpinë e saj në orën 4:15, por nuk harron ta hajë mëngjesin në orët e ardhshme gjatë ditës",- raporton artikulli.

Por, para se të nisë mëngjesin, aktorja sigurohet që të ketë ujë me limon – një mënyrë e shkëlqyer për metabolizmin në mëngjes: ndihmon të djegësh kalori gjatë gjithë ditës. Po kështu, ujë me limon shërben edhe si detoksifikim.

Markle është edhe fanse e pijeve dhe lëngjeve jeshile, të cilat ajo i konsumon gjatë ditës në vend të një filxhani kafeje për t'u ndjerë energjike.

"Është e thjeshtë të biesh në kurthin e nxitimit dhe të rrufitësh shpejt e shpejt një kafe",- ka thënë Markle për Today. "Por në qoftë se përziej mollë, kale, spinaq, limon dhe xhenxhefil në mikser në mëngjes dhe e marr me vete në punë, gjithmonë gjej diçka më të mirë se kafja për të pirë".

Një tjetër mënyrë që Markle qëndron gjatë gjithë ditës me energji është edhe ndërprerja e glutenit nga dieta. Ajo thotë se ky vendim ka bërë një "ndryshim të madh", madje i ka përmirësuar edhe lëkurën. "Definitivisht përpiqem të shmang gjërat që më bëjnë të ndihem e lodhur",- tha ajo për Shape.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk merr kënaqësi të tjera. Aktorja pranon se "kurrë nuk e humb shansin për të provuar makarona të shijshme sa herë udhëton."

Dieta e Markle, siç e shihni, nuk duket e tmerrshme. Nëse zgjidhja juaj e Vitit të Ri është të hani shëndetshëm, patjetër që një rekomandim i mirë është edhe kjo dietë: ujë i ngrohtë me limon dhe lëngje jeshile.