Gjeli i mbushur në traditën shqiptare ka disa variante. Çdo fundvit, ne kërkojmë të gjejmë një recetë që të jetë e veçantë, e shijshme dhe, mbi të gjitha, pa shumë mundime. Kjo që do t’ju propozojmë sot është recetë nga Renato Mekolli. Shikoni cilët janë përbërësit që keni harruar në gjelin që keni përgatitur sot.

Përbërësit:

1 gjel deti

500 gram mish viçi i grirë

50 gr oriz

1 lugë gjelle mjaltë

100 gr arra të qëruara

100 gr stika të qëruara

2 domate

3 portokaj (lëngu)

5 thelpinj hudhre

2 shkopinj kanelle

2 tufa majdanozi

1 lugë kafeje piper të zi

Pak kripë

50 ml vaj ulliri

Përgatitja e mbushjes: Vendosim në tenxhere vajin e ullirit, thelpinjtë e hudhrës, qepën e grirë hollë, arrat, stikat dhe i skuqim në zjarr të ngadaltë. Sa pa marrë ngjyrë, shtojmë mishin e grirë, kanellën, orizin, piperin e zi, kripën dhe i përziejmë për 20 minuta. E shuajmë me lëngun e portokajve, shtojmë mjaltin, (përdorim vetëm gjysmën e sasisë së lëngut të portokallit dhe të mjaltit), domatet, majdanozin dhe vazhdojmë përzierjen edhe për 10 minuta të tjera.

Përgatitja e gjeldetit të mbushur: Pastrojmë mirë gjelin e detit nga jashtë dhe nga brenda, (ia përcëllojmë qimet e imta në flakë). E mbushim pjesën e brendshme me masën e përgatitur si më sipër (por jo plot fare). E qepim me kujdes që të mos derdhet masa, e vendosim në një tavë, i hedhim kripë dhe e lyejmë me mjaltë, me vaj ulliri dhe me lëngun e portokajve. E mbyllim mirë tavën me letër alumini dhe e futim në furrë të ngrohur më parë në temperaturën 180 gradë. Pas tre orësh e ngremë temperaturën në 200 gradë (koha e pjekjes nga masa e gjelit të detit – 3 orë zakonisht është kohë e mjaftueshme për një gjeldeti 2-3 kg). E lëmë edhe për 10 minuta të tjera në furrë, derisa të marrë ngjyrë të artë.