Kalimi nga vjeshta në dimër është një prag shumë i ngushtë ku vetëm temperaturat bëjnë diferencën. Pikërisht në këtë periudhë Gena & Mario vendosën të kurorëzonin dashurinë e tyre në një festë më tematikë shumë të veçantë që përkon më stinën, ngjyrat dhe detajet e vjeshtës. Class by Alketa Vejsiu dizenjoi një dekor ndryshe, totalisht të perzonalizuar, plot jetë, duke e bërë ideale për një martesë tepër të veçantë dhe të paharrueshme. Elementet e ngjyrave të tokës në nëntor sollën një atmosferë shumë të ngrohtë dhe festive duke e kthyer në një park vjeshtarak. Ja ku po ju sjellim disa nga detajet që u përdorën në këtë event.

Ceremonia e celebrimit

Kompozime të realizuara me degë pemësh të thata, kristale dhe shandanë me qirinj; lulet e akullta kombinonin shumë bukur me sallën e lartë me perde të bardha. E gjithë rruga drejt altarit ishte e shtruar në gjethe pemësh natyrale, konturuar me fenerë dhe qirinj nën një ndriçim romantik.

Kokteil

Tavolinat e gjata me mbulesa të bardha dhe vazo me kompozime lulesh natyrale u uronin mirseardhjen të ftuarve. Një detaj shumë i bukur ishte tabela me emrat e të ftuarve. Tabela ishte krijuar për të simbolizuar pemën e jetës, ku çdo degëzim i përkiste një familjeje dhe çdo tavolinë identifikohej me emrin e një luleje.

Darka

Përveç kombinimeve të mbulesave të tavolinës dhe të karrigeve vihen re detaje të veçanta dhe të gjetura bukur. Kompozime lulesh natyrale me shegë, gështenjë, boçë pishe, plotësonin sfondin vjeshtarak. Detaje shumë të veçanta janë edhe ato që janë përdorur për dekorin e karrigeve: dy gjethe vjeshte të lidhura me një fjongo të artë. Kompozimet e kanellës me gjethet e arta me spango dhe gjethe vjeshte së bashku me elementët e tjerë dekorues, i bënin të dukeshin unike edhe ftesat, konfetat dhe menutë.

Ndriçimi profesional

Një  element që përmendet gjithmonë në fund dhe kjo jo nga rëndësia. Mbështjellja e të gjithë këtyre detajeve me  ndriçimin e duhur, është dora e fundit ku të gjitha përgatitjet marrin vlerë dhe kristalizohen: “Ngrijnë dhe shkëlqejnë”.