Dëshira jonë për të festuar nuk kënaqet me festat e kalendarit dhe traditës sonë dhe festa më e fundit që kemi huazuar është pikërisht baby shower. Ndërsa për të tjerat kemi pasur kohë mjaftueshëm të bëjmë përshtatjet që na kanë ardhur për mbarë, ende në fazë eksperimentale, festat e baby shower, bashkë me emrin, ruajnë edhe traditat origjinale.  Si kjo këtu organizuar për hir të mamit në pritje, Fabiola Duros, që pas një muaji do të bëhet nënë për herë të parë.

Zgjodhi Class by AV, që tani organizon edhe festa të kësaj natyre, për ta parë të realizuar dëshirën e saj. Një koktej në natyrë, një tryezë e mbushur me ëmbëlsira tipike të kësaj feste, karamele, cupcakes, macaroons, një tortë me një bebe lodër përsipër, të gjitha me ngjyra pastel, siç parashikohej edhe në kodin e veshjes së të ftuarave. Motra Herida, kushërirat e mikeshat e mamasë së ardhshme u paraqitën të gjitha me fustane pikniku në ngjyra të bardha ose pastel. Sigurisht me dhurata për beben djalë që do të lindë pas disa javësh. Kjo është edhe ideja e festës. T’i bësh një dush me dhurata mamasë që nga veshjet te aksesorët e nevojshëm të fëmijës.

Foto: Orsola Mema, Class Photography

Fabiola dhe shoqet e saj

Teze Herida

Tabela pas vajzave mban emrat qe te ftuarat propozojne per djalin qe do te vije

Kjo festë e përhapur në shekullin tonë, e ka origjinën që në fund të shekullit të XIX, në periudhën viktoriane, kur një shoqe e nënës në pritje, ftonte të gjitha mikeshat femra të cilat vinin me çadra në festë. Një variant për emërtimin e festës është që dhuratat vendoseshin brenda një çadre të mbyllur dhe kur e hapte, gruaja shtatzënë gjendej poshtë shiut, apo dushit të pakove.

Sigurisht tani kjo skenë kursehet. Dhuratat qëndrojnë shumë mirë brenda ambalazheve të tyre, por sigurisht, si në origjinal, ato hapen gjatë festës. Një baby shower është zakonisht një organizim femëror, ku babai i bebit shfaqet vetëm në fund të festës për të falenderuar të ftuarat për dhuratat dhe kështu bëri edhe Arbri, juristi që është dashuruar me Fabiolën ekonomiste katër vjet më parë dhe presin të martohen vetëm pasi djali i tyre të mbush një vjeç. Me siguri, me këtë shije e më këtë organizator eventesh që kanë zgjedhur, edhe dasma do jetë një spektakël i vërtetë, por tani për tani le të shijojmë baby shower-in.

Arbri dhe Fabiola, bashke prej kater vitesh

Disa rregulla dhe ide për një baby shower

Kjo festë organizohet për pritjen e fëmijës së parë.

Zakonisht me organizimin e saj merret një shoqe e mamit në pritje.

Të ftuarat vijnë me dhurata për beben.

Përgjithësisht kjo festë organizohet vetëm me femra që të mbushet me thirrjet e tyre të hareshme pas çdo dhurate që hapet dhe babai i fëmijës vjen  në fund për të falenderuar të ftuarat, por mund të ftohen edhe partnerët dhe të afërmit meshkuj nëse doni një festë më rock.

Në tavolinë nuk mungojnë ëmbëlsirat. Gjithmonë temat u kushtohen fëmijëve.