Miranda Kerr ka publikuar për herë të parë disa foto nga dasma e saj me themeluesin e Snapchat-it, Evan Spiegel. Ajo ka publikuar edhe një video nga prova e fustanit, një krijim i stilistes së Dior-it, Maria Grazia Chiuri.

Fustani është me mëngë të gjata, në formë A-je, saten, me kopsa të vogla në shpinë dhe mëngë dhe me lule të aplikuara 3 D në pjesën e fundit, frymëzuar nga fustani i Grace Kelly-t. Pamja e modeles në ditën e saj të dasmës, plotësohet me një kurorë lulesh.

Miranda, 34 vjeçe dhe i fejuari i saj, 27 vjeç, u martuan në maj, në Los Angeles, në një festë intime me rreth 45 të ftuar. Atë ditë, siç shkruan Vogue, Miranda gatoi recetën e preferuar të bashkëshortit të saj të ardhshëm, pulë e pjekur ngadalë me shafran dhe limon, ndërsa një kuzhinier shumëfishoi recetën e saj për të ftuarit e tjerë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë që nga fejesa e tyre, korrikun e kaluar, kur Kerr nisi të ëndërronte për fustanin. Imagjinata e saj nuk u largua kurrë nga fustani ikonik i veshur nga Grace Kelly në dasmën e saj, në 1956-ën, me Princin e Monakos, stiluar nga mjeshtrja e gardërobës së Hollywood-it, Helen Rose dhe qepur me dantellë antike belge, tafta dhe tyl nga rreth 35 rrobaqepëse dhe qëndistare në studiot e MGM.

Ndërkaq në korrik, Maria Grazia Chiuri u bë drejtore artistike dhe gruaja e parë që drejtonte shtëpinë e modës Dior në 69 vjet histori. Megjithëse modelja australiane nuk e kishte takur kurrë, ky ishte rasti për të vënë në jetë një fantazi. “Mendoj që është ëndrra e çdo vajze të ketë një fustan Dior për dasmën e saj”, ka thënë Kerr. “Mendova që nëse ajo do jetë e gatshme, unë jam”.

Chiuri ishte e gatshme. Nusja e takoi stilisten dhe grupin e saj në Paris, në vjeshtë dhe skicat nisën menjëherë. Edhe pse si modele ajo është fotografuar shpesh e veshur shumë pak, këtë herë Kerr kërkoi një fustan me mëngë të gjata dhe të mbyllur. “Një fustan që të mbulon plotësisht krijon një ndjesi pastërtie dhe misteri”, ka thënë ish-engjëlli i Victoria’s Secret, e cila në kontrast me imazhin e pasarelave, si person, është e drojtur dhe delikate.  “Jam argëtuar shumë kur merresha me modën dhe kam qenë më e egër, më e lirë dhe boheme, por në këtë periudhë të jetës, stili im është më i tërhequr. Burimet e mia më të mëdha të frymëzimit kanë qenë gjithmonë Grace, Audrey Hepburn dhe gjyshja ime, e cila në moshën 80 vjeçe ka një klas të natyrshëm: një palë pantallona të bukura, një bluzë të bardhë, një shall, pak taka.”

Pak javë para dasmës, Chiuri ishte në Los Angeles dhe shkoi në shtëpinë e plazhit të Kerr dhe Spiegel për provën e fundit të fustanit Dior. Një fund sateni, ngjyrë gjalpi të rrahur, ishte plotësuar me aplika zambakësh fushe. Ajo ka treguar që modelja nuk ishte një kliente e vështirë dhe që ishte e qartë në kërkesat për natyrën e fustanit.

Si e ëma dhe gjyshja e nuses u prekën kur panë fustanin, por Kerr i ruajti lotët për ditën e dasmës.

Atë ditë, kur edhe dhëndri ishte veshur me kostum Dior, e gjithë dasma u zhvillua në privatësi të plotë.