Olta dhe Besi, kishin vetëm një ide të qartë mes shumë dilemash që dasmën e donin në ajër të pastër dhe mes gjelbërimit. Dhe ekipi i Class by AV nisi punën për të konkretizuar gjithçka.

Dekori: Class by AV Fotograf: Bevis Fusha Vendi: Illuminatum në Petrelë

Më e rëndësishmja në një dasmë stil country chic, si e donin ata, është atmosfera. Pjesa tjetër vjen vetë: nga detajet retro te menuja bio, nga lulet natyrale te aromat mesdhetare. Megjithatë edhe aq vetë nuk vjen. Fantazia duhet lënë e lirë, por mendja gjithashtu duhet të jetë e përqendruar që të gjitha detajet të realizohen me rigorizitet duke dhënë idenë që gjithçka është pjesë e natyrës dhe është prej kohësh aty.

Një ndriçim i butë që luante me pemët. Shumë detaje dekori të personalizuara si fotot e çastit të kapura me kapëse rrobash si për të kujtuar mbrëmjet e dikurshme kur teshat thaheshin në ajrin e ngrohtë dhe fëmijët luanin poshtë tyre ndërsa tani thahen fotot e çastit dhe fëmijët e dikurshëm tani martohen dhe festojnë. 

Tani janë të rritur, mund të vonohen sa të duan.  Askush nuk largohet sepse po festojnë dashurinë!

Gjithçka që të kujton të shkuarën, por nuk të bën nostalgjik për gjatë. As muzika. As surprizat. E rëndësishme është të bëjë të ndihesh mirë. Çiftin, familjet dhe të ftuarit. Dhe sigurisht gjithçka brenda skenës së dekorit. Ja disa nga elementët që u mbajtën parasysh për ta bërë sa më romantik dekorin:

Filli

Duhet të frymëzohesh patjetër nga nuancat dhe aromat e natyrës së mjedisit që të rrethon. Mund të nisesh pikërisht nga disa bimë aromatike.

Koha

Në mbrëmjet e këndshme dhe të buta të verës është mundësia më e mirë që festa të nisë sa më parë e të zgjasë sa më shumë që të ftuarit të shijojnë atmosferën. Në orën 19.00, nis kokteji për të vazhduar deri vonë me darkën dhe festën.

Tavolinat dhe karriget

Në natyrë. Të mbuluara me mbulesa të lehta ngjyrë pane që kombinohen me gjelbërimin e natyrës.

Lulet

Të bardha, trëndafila dhe lule borë që theksojnë atmosferën Country.