Nëse deri më sot, maksimumi mund të keni shkuar deri te ngjyrat e lehta pastel, roza apo e kuqja, deri këtu, imagjinata nuk mund të shkonte. Por jo për 25-vjeçaren Sophie Cachia, e cila për ceremoninë e dasmës së saj ka zgjedhur fustan nusërie të zi. Duke thyer në këtë mënyrë traditën e fustanit të bardhë, Sophie nuk ka dashur që për dasmën e saj të dukej si të gjitha vajzat e tjera dhe tregon se kjo zgjedhje ishte thjeshtë, sepse ajo vetë dëshironte kështu.

Dizenjuesi i fustanit është Anthony Montesano nga “Signor Mont Couture”, i cili nuk ka veshur vetëm nusen, por edhe shoqëruset e saj po me fustane të zinj.

Blogerja dhe nëna e re, e cila menaxhon blogun The Young Mummy, ka rrëfyer për Daily Mail Australia, se zgjodhi për të veshur fustan të zi për të reflektuar stilin e saj: “Unë gjithmonë vishem me të zeza, sepse mendoj se më shkon shumë dhe është një ngjyrë e fortë që të tregon klas dhe stil”, – thotë ajo duke shtuar se edhe ndjesia e miqve dhe të ftuarve për zgjedhjen e saj ishte pozitive. Askush nga të afërmit nuk kishte menduar se ajo do të vishej me të bardha.

Ndërsa bashkëshorti i Sophie-s, Jaryd Cachia, po ashtu e theu traditën dhe veshi një xhaketë sportive vishnjë, me jakë të zezë dhe pantallona lëkure: “Ne nuk e bëmë këtë për askënd, por vetëm për vete. Ne veshëm atë që donin të vishnim, kjo është e gjitha”, – tregon Cachia për DM.