Doni të dukeni  e mrekullueshme, e freskët  në ditën tuaj të dasmës? Sigurisht që mundeni, por përgatitja duhet nisur muaj më parë. Më poshtë do mund të lexoni disa këshilla nga Class Make Up Studio si ta arrini.

Theksoni tiparet më të bukura

Ju i njihni tiparet tuaja më të bukura, nxirrini në pah ato. Nxirrni në pah lëkurën rrezatuese me një make up të lehtë që të dukeni sa më e freskët, sytë mund t’i lyeni duke përdorur një sfumim tek pjesa e bishtit që ata të duken sa më të mëdhenj dhe të bjerë në pah bukuria e tyre. Për buzët mund të përdorni një Lip që të përmirësojë buzëqëshjen tuaj. Në qoftë se gjatë jetës së përditshme ju jeni natyrale, atëherë ju këshillojmë që ta konsideroni ditën tuaj të dasmës një përjashtim.

Buzëkuqi, element shumë i rëndësishëm

Kujdesuni për buzët para kohe dhe shmangni tharjet dhe plasaritjet e tyre në ditën tuaj të dasmës. Filloni përgatitjet të paktën një  javë para dasmës ose flisni me make up artisten tuaj për këtë detaj kaq të rëndësishëm.

Trajtojeni në mënyrë të veçantë fytyrën tuaj, sidomos pak kohë para dasmës                          

Mbajtja e një regjimi konstant të kujdesit ndaj lëkurës është e rëndësishme, por me afrimin e ditës së dasmës duhet të filloni të kujdeseni më shumë.  Bëni një takim me një dermatolog gjashtë muaj para dasmës për t’ju ndihmuar që të eleminoni njollat kafe që mund të keni, pikat e zeza etj. dhe mos harroni, përdorni gjithmonë krem me faktor mbrojtës (SPF), jo vetëm gjatë verës por edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Të mos eksperimentoni me produktet e reja, të paktën një muaj përpara dasmës.

Çdo produkt të ri, sikur thjesht dylli që do përdorni  për vetullat apo trajtimet estetike që doni t’i bëni lëkurës, duhet ta testoni të paktën një muaj përpara. Në këtë mënyrë nëse ju keni një reagim të papritur ndaj tyre, ka mjaft kohë për të rregulluar dhe përmirësuar gjendjen e lëkurës dhe trupit tuaj.

Hidratimi i lëkurës

Midis freskisë së ambientit jashtë dhe të nxehtit në shtëpi, lëkura e thatë është mëse e zakonshme në ditët e vjeshtës. Duket si një problem i pashmangshëm, por ka gjithmonë këshilla që duhen ndjekur. Ju duhet të pini shumë më shumë ujë, përveçse të përdorni një hidratues të pasur dhe nëse është e nevojshme, një serum hidratues, për t’i rikthyer ndriçimin lëkurës tuaj.

Kujdes me dietat dhe ushqimin

Mos ndërmerrni dieta drastike përpara dasmës, sepse do gjendeni në një situatë shumë të sikletshme.

Fillimisht, do keni probleme me fustanin , nuk do ju bëj më ose kërkon shumë ndërhyrje, të cilat nuk mund të realizohen në ditën që ju keni dasmën. Shpesh dobësimi vë në pah difektet, sidomos ato të fytyrës dhe jo të gjithë duken bukur në fytyrë kur dobësohen, ndaj bëni kujdes me këtë element. Hani më mënyrë të shëndetshme që të shkëlqeni dhe të dukeni si një princeshë.