Trimi dhe Xhensila janë ndër çiftet më të preferuar të këtij edicioni të DWM. Kjo e hënë i kurorëzoi ata në fund me një kupë e cila, pas tri sekondave prekjeje nga Trimi, shkoi e gjitha për Xhensilën. Prej më shumë se dy muajsh që ushtrohen në palestër, çifti i bukur i Dance kanë tërhequr vëmendjen e publikut, që vazhdimisht ngacmohet nga “ftohtësia” e Trimit dhe nga bukuria e Xhensilës.

Për disa javë, ata i kanë lënë mënjanë angazhimet artistike dhe i janë përkushtuar spektaklit të kërcimit. Edhe pse, megjithatë, Trimi po punon fort që brenda muajit tetor të publikojë këngën e re, të cilën shpreson ta sjellë para ditëlindjes së tij të 23-të, më 24 tetor.

E gjithë kjo periudhë me shumë punë në DWM dhe projekte të tjera lë shumë pak kohë të lirë për çiftin e Dance. Të pyetur nga Rudina çfarë fshehin jashtë skenës së vallëzimit, Xhensila dhe Trimi nuk kanë për të treguar shumë. Ndërsa modelja tregon se këto kohë është e dashuruar vetëm me kërcimin: "Unë s’kam asgjë për të thënë, unë i jam përkushtuar totalisht “Dance With Me”. E dashuroj kërcimin dhe tashmë jam e dashuruar me kërcimin” (nëse e ka emrin ai djali kërcim, shton Trimi si për ta ngacmuar partneren).

Për vete këngëtari thotë se pavarësisht këtij angazhimi, dashuria nuk e pengon, por, për mometin është i lirë si pëllumbi: “Trimi është i lirë si pëllumbi…  Nuk e kam gjetur akoma, por nëse e gjej atë që duhet, dashuria nuk më prish punë. Ia lëmë kohës, një herë për një herë jemi rehat…”

Por Xhensila nuk e lë edhe kaq rehat. Ajo zbulon se i vijnë pa fund mesazhe nga vajzat që e pyesin nëse ka të dashur Trimi, kështu që këngëtari vazhdon të jetë një nga meshkujt më të preferuar në botën e showbiz-it shqiptar. Për më tepër, tani që jeton me kohë të plotë në Tiranë, vajzat janë gjithmonë gati ta gjuajnë.