Mbrëmja e spektaklit DWM sonte, nëse për të gjithë ka nisur si zakonisht, me ngacmimet e Bertit për kastin e artistëve pjesëmarrës, në fakt nuk shkoi kështu për Fiori Dardhën. E gjitha nisi pasi Berti, duke analizuar kërcimin e Xhenit dhe Benardit, tha mes të tjerash “të paktën me pëlqen që ju të dy kërceni bashkë, sepse të gjithë këta hanë dajak nga burrat...”, duke nënkuptuar atë pjesë të dhunuar të femrave, por edhe, dashje pa dashje, thumboi pjesën e shoqërisë, e cila nuk e kupton dot artin që duan të bëjnë dhe të tregojnë përmes ekranit edhe formate si DWM.

Gazetarja Fiori Dardha, pas kësaj, iu kthye Bertit e revoltuar duke i thënë se nuk ka asnjë të drejtë të fyejë femrat dhe as t’u drejtohet të gjitha grave me atë gjuhë. Pavarësisht se Berti e kundërshtoi duke i thënë se nuk e kishte aspak personale, Fiori, mjaft e revoltuar, tha se ai e ka fyer atë dhe familjen e saj.

Pas replikave të të dyve, ndërhyri edhe Valbona, e cila, ndryshe nga çdo herë tjetër, këtë herë mbështeti Bertin duke thënë se ajo çka tha ai, për fat të keq, është një realitet i dhimbshëm shqiptar që duhet pranuar. Por Fiori nuk ndryshoi mendim. Ajo tha se, nisur nga kjo situatë, ajo po largohet nga spektakli, sepse nuk mundet ta përtypë atë fyerje dhe as lejon njeri të shkelë mbi dinjitetin e saj.