Një nismë e ndërmarrë, pritet të heqë tarifat doganore për një listë të gjerë të pajisjeve teknologjike.

Projektligji, “Për pranimin e skedulit CXLVI të zgjerimit të listës së marrëveshjes së teknologjisë së informacionit në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë”, i cili parashikon shtimin e produkteve qe mund të importojmë pa taksë doganore, ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të diskutohet në komisionet parlamentare.

Projektiligji parashikon të tregtohen pa tarifë: bojë printimi apo bojëra të tjera; ngjitës të përgatitur dhe adezivë të tjerë; pllaka dhe film fotografik; artikuj për mbartjen ose paketimin e mallrave, kuti, kasa, arka dhe artikuj të ngjashëm; materiale të tjera të printuara; produkte dhe artikuj tekstilesh për përdorime teknike; pompa me ajër ose vakum, kompresor dhe ventilatorë me ajër ose me gaz; Makineri, pajisje impiantesh ose laboratorike, të nxehura ose jo me korrent; Makineri ose aparat filtrimi ose pastrimi për lëngje; Makineri peshimi; Makineri printimi; Printer, fotokopje dhe makina faksimile të tjera, të kombinuara ose jo, etj.

Një nismë të tillë e dikton nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe fakti që Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, ku parashikohen këto lehtësi.

Minstria e Financave thekson në relacion, se “Propozimi i këtij projektligji vjen si pasojë e ndryshimeve dhe zhvillimeve të teknologjisë së informacionit vitet e fundit. Për këtë, vendet anëtarë të OBT-së kanë punuar për të reduktuar tarifat për produktet që prekin këtë fushë. Një nga qëllimet kryesore të ndryshimit të këtij ligji janë eliminimi i tarifave për produktet e propozuara në këtë listë si dhe eliminimi i barrierave jotarifore, që krijojnë pengesa te produktet e teknologjisë së informacionit.