Pasi paralajmëroi një konferencë për shtyp nga faqja personale në facebook, Saimir Tahiri u shfaq në konferencë për shtyp nga ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Me shumë mundësi, kjo do të jetë hera e fundit që ai shkel në këtë vend, pasi bëri publik vendimin e tij drastik. Nga sot, Saimir Tahiri nuk do të jetë më deputet i Kuvendit të Shqipërisë, pasi publikisht bëri me dije vendimin e tij për të dorëzuar mandatin e deputetit.

I vendosur në optikën e sulmeve të njëpasnjëshme, e sidomos pas vendimit të pritshëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë, ku përflitet në media se faktor zhvillues ose pengues do të ishte mandati i deputetit, ish-ministri i Brendshëm i vendosur nën hetim për dosjen Habilaj, në daljen e tij publike të pak minutave më parë, Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit me këtë argumentim: "Kam marrë një vendim, unë dorëzoj mandatin tim të deputetit deri kur të zbardhet e vërteta unë nuk do të jem deputet, por një qytetar i thjeshtë. Me familjen e miqtë do të përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë, ligjin dhe palaçot në politikë që kanë vjedhur. Unë nuk do të dorëzohem në asnjë çast. Unë e jap imunitetin, jam qytetar i thjeshtë, unë këtu jam dhe do të jem përballë jush, fuqia ime është e vërteta ime, unë nuk do të resht së kërkuari të vërtetën. Nuk kam fjalë mjaftueshëm t'i falënderoj ata që më kanë mbështetur. Unë nuk jam nga ata që fshihem. Që sot kjo nuk është ndeshja ime e fundit, kjo është e para dhe do të vijojë deri kur t’ia dal, unë nuk jam më deputet, do të përballem me këdo, e vërteta mjafton dhe është më e fortë se cdo gjë tjetër. Jam përballë kujtdo dhe nuk do të përkulem. Sot them, unë nuk jam palaço, unë jam Saimir Tahiri dhe nuk kam nevojë për mandat, imunitet për t’u përballur me drejtësinë, por unë nuk  jam dorëzuar kurrë e aq më tepër sot. Në një betejë që nuk e kam vetëm timen, se as drejtësinë dhe Europën nuk do na e falë njeri por do e fitojmë me kockat tona".