Ditët e ftohta nuk kanë marrë fund. Sipas sinoptikanëve, edhe fundjava dhe ditët e javës së ardhshme do të jenë të ftohta. Sipas parashikimeve, vlerat e termometrit do të rriten me dy deri në tri gradë celsius, duke filluar nga e mërkura, por ndryshimi nuk pritet të jetë shumë i ndjeshëm.

Gjatë fundjavës, temperaturat do të arrijnë kulmin e tyre. Duke filluar nga e premtja, temperaturat pritet të kalojnë vlerat pozitive, por në zonat malore do të shkojnë deri në vlerat -4 apo -5 gradë celsius.

Sipas parashikimeve, me rritjen e temperaturave dhe rikthimin e reshjeve të premten dhe gjatë fundjavës, në Ultësirën Perëndimore nuk përjashtohen përmbytjet lokale, kryesisht në zonat veriperëndimore të vendit.

Me rritjen e lehtë të temperaturave, java tjetër parashikohet të ketë një ritkthim të vlerave negative, ndonëse jo në ekstremet e ditëve të fundit. Kështu deklaroi edhe meteorologia Lajda Porja, e ftuar në Opinion, mbrëmjen e së hënës.

Ditët e fundit në Tiranë u regjistrua temperatura më e ulët që nga viti 1985, -10 gradë celsius.